Kosova dhe Kroacia angazhohen për zhvillim dhe investime konkrete për qytetarët

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, zhvilloi një takim me Ministrin e Jashtëm të Kroacisë, z. Gordan Grlić Radman, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Ministrja Gërvalla dhe Ministri Radman diskutuan për hapat konkret për thellimin e bashkëpunimit…

Lajme

24/09/2025 10:44

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, zhvilloi një takim me Ministrin e Jashtëm të Kroacisë, z. Gordan Grlić Radman, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Ministrja Gërvalla dhe Ministri Radman diskutuan për hapat konkret për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, duke përfshirë finalizimin e marrëveshjeve në proces, nga njohja e ndërsjellë e patentë-shoferëve, deri te bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes civile. Palët u pajtuan mbi rëndësinë e nxitjes së investimeve dhe krijimit të një Komisioni të përbashkët për tregti dhe ekonomi, në mënyrë që miqësia ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë të reflektohet drejtpërdrejt në zhvillim konkret për qytetarët.

Me theks të veçantë u diskutua edhe përfshirja e të rinjve në proceset shoqërore dhe demokratike. “Forcimi i demokracisë kalon përmes përfshirjes së të rinjve. Kosova dhe Kroacia janë të vendosura t’i japin brezit të ri hapësirën që meriton, sepse nga ta varet e ardhmja e shoqërive tona” tha Ministrja Gërvalla.

Në mbyllje të takimit, Ministrja Gërvalla u shpreh se Kosova mbetet përherë mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë në të gjitha fazat e shtetndërtimit, duke e konsideruar Kroacinë një shtet mik dhe partner të çmuar./Lajmi.net/