Kosova dhe Ballkani Perëndimor pas Brexit-it
Pas Brexit-it, inkuadrimi i Kosovës dhe i pesë shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimorë në Bashkimin Evropian, duhet të shpejtohet, e jo të ngadalësohet apo edhe të vendnumërojë.
Lajme
Shkruan: Blerim Shala
Deri të premten në mëngjes, pra, deri me 24 qershor, çfarë domethënie ka Brexit, ka qenë e njohur për një numër të vogël të kosovarëve. Pa fajin e tyre. Këndejpari, thuaja askush nuk është marrë me Referendumin e Britanisë së Madhe për daljen apo mbetjen në Bashkimin Evropian. Nuk ka pasë debate publike. Nuk ka pasë përplasje politike. Partitë tona kanë pasë, si rëndom, prioritete të tjera. Me Brexit, nuk fitohen dhe humben vota në Kosovë. Me Brexit, nuk mbahet dhe nuk bie Qeveria. Me Brexit nuk rrëzohet dhe nuk çohet akëcili politikan shqiptar i Kosovës.
Marrja eventuale me Brexit, ka pasë kuptimin që këtupari, mund edhe të ndodhë mrekullia e përpjekjes për të zënë fillin e gjendjes reale në këtë vend, në këtë shoqëri, sepse kjo gjendje nuk kuptohet dot pa veneruar edhe atë kontekstin rajonal dhe ndërkombëtarë. E ne nuk e kemi ndërmend me u marrë me Rajonin, Evropën dhe Botën, sepse në masë madhe, e kemi orën politike dhe historike të ndalur diku në verën e vitit 1999-të, kur ne ishim kryelajmi dhe kryetema rajonale, evropiane dhe botërore. Pa mbërritë në atë stad, zatën, Kosova nuk do të çlirohej një herë, për t’i çelë kështu udhë edhe bërjes së shtetit të Kosovës. Por ja që as ne, as rajoni, e më së paku Evropa dhe Bota, nuk jemi të tillë çfarë ishim në fund të Shekullit XX. Këtupari, ky lajm apo ky fakt, së paku në rrethanat e tanishme, nuk ka ende gjasa me fitu të ‘drejtën e banimit’ në politikën kosovare, e cila pretendon që është në gjendje të ofrojë shpjegime finale për të gjitha çështjet e mundshme që i takojnë fatit dhe të ardhmes së Kosovës.
Jemi të lidhur shumëfish me Botën. Dihet. Në aspektin teknik dhe teknologjik. Jemi të barabartë, në këtë aspekt, me gjithë Botën. Por si politikë, jemi të vetë-izoluar. Si rrallëkush në Botë. I ngjajmë, si politikë, një kuarti kafeneshë dhe restorantesh në një qytet të madh, i cili synon të jetë qendër e një qyteti dhe e një shteti. Nuk ka parlament dhe qeveri, nuk ka politikë të mirëfilltë institucionale, në një kuart të atillë: Aty ka veç thashetheme, tym dhe pluhur. Aty ka veç spekulime dhe mashtrime. Me shumicë dhe me pakicë.
Sidoqoftë, edhe po të ishim të organizuar shumë më mirë, edhe po të funksionim shumë më mirë si shoqëri dhe si politikë, do të ishte tejet vështirë që të kemi analiza dhe vlerësime të qëndrueshme për pasojat që do t’i kemi si Kosovë, nga vendimi i shumicës së qytetarëve të Britanisë së Madhe për ta braktisur BE-në. Këto pasoja janë duke u trajtuar dhe shqyrtuar në shtetet kryesore të Perëndimit, por, në këto kryeqendra, duket që ende mbizotëron shoku dhe befasia me vendimin e kësisojt të Britanisë së Madhe, i cili gjithsesi, në atë kontekstin e zhvillimeve strategjike, paraqet një ‘termet’ të madh politik dhe historik.
Megjithatë, ndër ne nuk ka fare shenja që në ditët dhe në javët në vijim, do të përpiqemi të mirremi fare me konsekuencat vendore dhe ndërkombëtare të këtij zhvillimi që pashmangshëm do të ndikojë në BE, dhe në drejtimin që BE-ja do ta merr tash e tutje, e ndikuar nga kjo ngjarje.
Brexit ndodhi në rrethanat më të keqe të mundshme për këto anë të Evropës dhe për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimorë të cilat publikisht synojnë të bëhen pjesë përbërëse e Bashkimit Evropian. Edhe pa te, për shkaqe të ndryshme, nuk kishte farë vullneti të veçantë në Bruksel dhe gjetiu me u marrë me këto gjashtë shtete, sepse rrëfimet e tyre, megjithëse në vete ngërthejnë burimin evident të paralajmërimit të telasheve të nduarnduarta, janë larg potencialit shpërthyes që kanë krizat e mëdha në raportet e BE-së me Federatën e Rusisë, kriza e refugjatëve dhe kriza e ISIS-it në Siri dhe në Irak.
Ndërsa lënia pezull e gjendjes në këto gjashtë shtete, sa i përket perspektivës së tyre për t’i bërë pjesë përbërëse e Bashkimit Evropian, nuk është gjë tjetër veç thirrje për tensionime të mëtejme dhe për probleme recidiviste në marrëdhëniet në mes këtyre shteteve.
Nga pikëshikimi i sotëm, Brexit do të ndikojë gjithsesi edhe në perspektivën evropiane të Kosovës dhe në vetë rrjedhën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë, i cili edhe ashtu është shumë i lidhur me rrugëtimin e Kosovës dhe Serbisë kah BE-ja.
Në fakt, politika kosovare ka gjasa të mëdha të gjindet tash e tutje, në stadin që u gjet në vjeshtën-dimrin e vitit 1989-të, kur njerëzit e vullnetit të mirë, megjithëse nuk dinin shumë se çka është politika, instaluan ndjenjën e përgjegjësisë për gjendjen në të cilën u gjetën shqiptarët e Kosovës, kur ata mbetën pa institucione politike. Përgjegjësia karshi sprovave të kohës pastaj u përkthye në një vendimmarrje të pashoqe në historinë e re të Kosovës, e cila lindi Alternativën kosovare, me partitë e sapoformuara politike, dhe pastaj, edhe krijoi rrethanat për marrjen e vendimeve kyç për të ardhmen e Kosovës.
Vështirë është të besohet më që ka skenare pak a shumë të qarta se si do të rrjedhë udhëtimi i Kosovës në BE. Skenaret e tilla janë në fazën e zhvlerësimit dhe për pesë shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimorë. Është ky një shans i ri për intensifikimin e përpjekjeve të Federatës së Rusisë për influencimin e mëtejmë të ndërlikimit të gjendjes në këtë pjesë të Ballkanit. S’do mend që do të shtohet edhe ‘apetiti për destruktivitet’ i qarqeve të ISIS-it.
Nuk do të duhej të kishte shumë dilema tek pala kosovare, por edhe te pesë shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimorë se çka do të duhej bërë tash e tutje për ta kthyer mbrapshtë këtë tendencë thuaja të sigurtë të teposhtëzës karshi Projektit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Këtu nuk mund të ketë Status Quo, apo vendnumërim. Nuk mund të vlejnë më Planet e deritashme për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në BE. Rishikimi dhe me gjasë, ridefinimi politik dhe organizativ i Bashkimit Evropian, i cili së paku në rrethanat e tasnishme duket i pashmangshëm, do të duhej të instalonte logjikën e re në Bruksel, duke lënë prapa konceptin e vazhdimisë së skenareve dhe planeve thuajse asgjë nuk ka ndodhur me Brexit-in. Thënë edhe më qartë, inkuadrimi i Kosovës dhe i pesë shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimorë në BE, duhet të shpejtohet, e jo të ngadalësohet.
BE-ja do të duhej sa më parë që është e mundur t’i rrumbullakësojë kufijtë e saj, të cilët domosdoshmërisht duhet të përfshijnë, brenda një perudhe kohore që përgjysmon planet e mëparme dhjetë e më shumë vjeçare, për anëtarësimin e Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës në Bashkimin Evropian.
Lënia pezull e rrugëtimit të këtyre shteteve në BE dhe në NATO, do të jetë thirrje për probleme shumë të mëdha në këtë pjesë të Evropës.
(Autori është kolumnist i rregullt i Lajmi.net)