Kosova de facto është njohur nga Serbia, vlerëson Thaçi
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi është optimist që shpejt do të vijë dita kur Serbia do ta njohë Kosovën, raporton e përditshmja vjeneze “Die Presse”, për të cilën ai ka dhënë një intervistë.

Lajme
Në pyetjen se a mund të ndodhë një de-facto njohje e Kosovës nga ana e Serbisë, pa u përmendur ajo fjalë, Thaçi u përgjigj: “De facto Kosova është e njohur nga Serbia. Kjo po ngjet de facto në të gjitha rrafshet. Institucionet kosovare e kontrollojnë tërë territorin e shtetit, ne nuk kemi një de-jure prezencë të Serbisë në Kosovë dhe serbët e veriut të Kosovës janë pjesë e Qeverisë dhe Parlamentit”.
Dndërkaq, në pyetjen se a ka marrë sinjale nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, shefi i diplomacisë kosovare tha se shpreson që në mot akulli të thyhet.
“Shpresoj që vitin që vjen do të thyhet akulli. Pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur ende Kosovën dërgojnë një mesazh të panevojshëm në rajon. Asnjë shtet europian nuk ka as edhe një arsye të mos e njohë Kosovën. Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme:.
Lidhur me fillimin e punës së Gjykatës Speciale për akuzat e krimeve të luftës nga pjesëtarë të UÇK-së, Thaçi deklaroi: Kosova nuk ka çfarë të fshehë. Ne i kemi dhënë mbështetje të plotë këtij procesi dhe do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona ndërlidhur me Gjyqin Special. Ne shpresojmë që Parlamenti i ri qysh në javët e para të punës në vitin që vjen ta përmbyllë këtë çështje”.