Kosova 2020: Nga pandemia deri tek kriza ekonomiko-politike – çfarë në vitin 2021?

Viti 2020 ka qenë një vit i vështirë për botën në përgjithësi për shkak të përhapjes masive të virusit COVID-19, por edhe për shkak të ndryshimeve të mëdha gjeo-politike në botë. Kosova nuk ka qenë imune ndaj këtyre ndryshimeve të mëdha në botë, por krahas kësaj, Kosova është përballur me krizën e jo-stabilitetit politik dhe krizën ekonomiko-sociale që është shkaktuar nga pandemia e koronavirusit dhe gjithashtu edhe nga jo-stabiliteti politik.

Lajme

03/01/2021 18:00

Kosova në këtë vit ka pasur një rënie të madhe ekonomike dhe krahas kësaj është udhëhequr nga tre kryeministra të ndryshëm brenda një viti, shkruan lajmi.net.

Gjithashtu, mësimi në distancë ka qenë një problem me të cilin Kosova është dashur të adaptohet shumë shpejtë e nën anën tjetër, shoqëria kosovare është përballur me një situatë të re të izolimit dhe të kufizimit të lëvizjes.

Ky vit, ishte i dështuar sa i përket politikës së jashtme dhe diplomacisë pasi Kosova nuk arriti të anëtarësohet në asnjë organizatë ndërkombëtare dhe nuk erdhi asnjë njohje e pavarësisë së vendit.

Lidhur me tema të ndryshme që e rrokin politikën e brendshme e të jashtme, diplomacinë, arsimin, ekonominë e shoqërinë, lajmi.net ka folur me ekspertë të fushave për të vlerësuar se cilat kanë qenë sfidat e vitit 2020 dhe çfarë pritet të ndodhë në vitin 2021.

Dy qeveri të rrëzuara brenda një viti: Kosova në prag të një krize të re politike në vitin 2021

Analisti politik Ramush Tahiri është shprehur se viti 2020 ka qenë vit i rëndë, por dinamik për Kosovën. Sipas tij, kemi dy qeveri të rrëzuara brenda një viti dhe ky vit është karakterizuar sipas tij me një papjekuri të Kosovës në rrafshin e bashkëpunimit me miqtë ndërkombëtarë.

“Ky ishte një vit i rëndë për Kosovën, por ishte shumë dinamik. Patëm qeverinë Kurti e cila quhej qeveria e shpresës, e cila zgjati shumë pak dhe u rrëzua nga partneri i koalicionit, këtë po e them si konstatim, pa ndonjë gjykim, por veç të tregohet dinamika e jetës politike në Kosovës dhe kemi edhe rrëzimin e qeverisë së dytë, do të thotë skena politike është kjo, rrëzimi i dy qeverive brenda një viti. Kosovën e kemi në dialog dhe e konsideroj marrëveshjen e Uashingtonit historike dhe shumë të rëndësishme, por polemikat në distancë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shoh si të papjekura për Kosovën sepse me miqtë ndërkombëtar bisedohet brenda dhe jo jashtë dhe besoj se kjo na ndihmon të krijojmë pjekuri dhe të jemi përgjegjës për veprime.”, tha Tahiri për lajmi.net.

Tutje, Tahiri është shprehur që Kosova nuk ka arritur ta forcojë sovranitetin dhe integritetin territorial dhe sipas tij, Bashkimi Evropian i ka zhgënjyer qytetarët e Kosovës dhe në anën tjetër po duket se po e ritrajton statusin e Kosovës.

Ai është shprehur gjithashtu se nga aspekti ekonomik Kosova është në krizë dhe nuk ka ndonjë perspektivë për të ardhmën.

Tahiri e ka quajtur politikë krahinore e të nivelit të ulët politikën e Kosovës dhe e ka konsideruar të ulët shkallën e zhvillimit demokratik e ekonomik.

“Kosova nuk ka arritë të forcojë sovranitetin dhe integritetin territorial dhe nuk dallohet për diçka të veçantë e gjithashtu ka pasur stagnim në integrimet evropiane dhe ekziston një zhgënjim tek të gjithë qytetarët e Kosovës. E keqja është se po duket se edhe njëherë po ritrajtohet statusi i Kosovës sepse në bisedimet me Serbinë po bisedohet për çështje të brendshme dhe asgjë s’po ka reciprocitet. Në sferën ekonomike jemi në krizë, Kosova mbahet nga remitancat dhe Kosova mbahet nga shërbimet e pasurisë së vet dhe duke e ngrënë pasurinë e gjeneratave të kaluara ku kriza vetëm shkon duke u thelluar. Nuk kemi elitë politike, nuk kemi studim, libra, programe se ku do të shkojë Kosova në të ardhmën. I kemi zhvillu keq punët me Shqipërinë ku ka filluar përlamja në vend të punëve të përbashkëta. Politikë krahinore e nivelit të ulët, shkallë e ulët e zhvillimit demokratik dhe ekonomik, njerëz pa përspektivë, pa viza, në moment që hiqen vizat dëshirojnë të dalin jashtë.”, tha Tahiri për lajmi.net.

Në anën tjetër, analisti Blerim Burjani është shprehur se Kosova është përballur me qeverisje jo-stabile këtë vit. Sipas tij qeveria Kurti pati politikë të pamatur me faktorin ndërkombëtar dhe kjo i kushtoi edhe vet Vetëvendosjes por edhe qytetarëve.

“Viti 2020 ishte vit i sfidave të mëdha, pandemia e goditi rënd shëndetin dhe ekonominë e pothuajse çdo pore të jetës sociale, edukimi u zhvillua në distancë me kapaciete minimale të mësim-nxënies. Çështja tjetër është qeverisja jo-stabile. VV bëri një politikë të pamatur me faktorin ndërkombëtar dhe kjo i kushtojë edhe atyre në qeverisje por edhe qytetarëve, u aprvua një pako ekonomike dhe përkrahje pastaj ra qeveria Kurti për 51 ditë si qeveria më jetëshkurtër deri më tash. Ishte një qeverisje më shumë e fjalëve sesa veprimeve të duhura, pastaj refuzoj të fillonte nga fillimi i procedurës për formimin e qeverisë së re, por ne ndërkohë ishte heq dorë të formojë koalicion të ri për shkak të vijave të kuqe dhe për shkak se nuk donte qeveri të re, por zgjedhje.”, tha Burjani.

Më tutje, ai tha se sfida më e madhe për vitin 2021 është themelimi me kohë i institucioneve dhe shpëtimi nga ngërçet politike.

“Ndërkohë me verdikt të Gjykatës Kushtetuese u hap rruga për formimin e qeverisë së re LDK-AAKNISMA, u krijua një precedent i ri nga Gjykata dhe tash jo vetëm fituesi do ta ketë të drejtën e formimit të qeverisë së re, dy herë e provon fituesi dhe nëse dështon, presidenti i fton partitë dhe kush i bën numrat e formon qeverinë. Sfida më e madhe në vitin 2021 është themelimi me kohë i institucioneve dhe shpëtimi nga ngërçet. Sipas mendimit tim, koalicioni i ri që themelohet pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme do të duhet të merret vesh apo bëjë marrëveshje për postin e presidentit.”, tha Burjani për lajmi.net.

Më tutje, ai tha se Kosovës gjatë këtij viti i ka ndodhur diçka e jashtëzakonshme si rrëzimi i dy qeverive për 7 muaj, ndërsa si pikëprerje të madhe politike e sheh arrestimin e dy liderëve të UÇK-së dhe riformatimin e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Në vitin 2020 ka ndodhur diçka që Kosovës nuk i ka ndodhur 20 vite. Të bijnë dy qeveri për 7 muaj. Pastaj arrestimi i dy liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që është diçka e pakthyeshme dhe do të ndikojë në punën e PDK-së ku për herë të parë nuk udhëheqet nga dikush që ishte pjesë e UÇK-së. Kjo part ka filluar dhe duket se ka tentativë të demilirizohet edhe më tutje.”, tha Burjani për lajmi.net.

Pandemia ekonomike në Kosovë

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu është shprehur se viti 2020 ka dëshmuar krizën institucionale në Kosovë. Sipas Gërxhaliut fakti që buxheti për vitin 2020 është votuar tek në mars e dëshmon krizën institucionale që e ka pasur Kosova në këtë vit.

Gërxhaliu është shprehur se pandemia globale e koronavirusit ka ndikuar në shumë segmente të jetës, e veçanarisht në ekonomi.

“Viti 2020 karakterizohet me një pandemi globale, pandemi e cila ka ndikuar në shumë segmente të jetës, veçanarisht në ekonomi. Kosova ka hyrë në vitin 2020 në krizë, vet fakti që kemi pasur zgjedhje më 6 tetor të vitit të kaluar, qeveria është votuar tek në mars të vitit 2020 e dëshmon krizën e parë institucionale, buxheti ka qenë i pamiratuar, rezerva buxhetore nuk ka pasur dhe shtoja kësaj ballafaqimin me pandeminë, mund ta vëreni se çfarë situate ka qenë. Ky vit karakterizohet me dominancë të agjendës politike, me një dominancë të një diskursi amoral në relacion pozitë-opozitë dhe mes partnerëve të koalicionit që e ka dëshmuar luftën për pushtet dhe jo për shtet, shumë më tepër e ka dëshmuar luftën për mbrojtjen e interesave të partive politike dhe në fund amoraliteti mbërrin deri aty ku lufta kundër pandemisë tenton të shantazhohet dhe të krijohen favore.”, tha Gërxhaliu.

Ai më tutje është shprehur se Kosova e ka politizuar edhe pandeminë dhe është vonuar me pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike.

Sipas tij, janë tri shtylla që e kanë shpëtuar ekonominë në Kosovë nga kolapsi. Gjindshmëria dhe afiniteti i sektorit privat, qytetarët e Kosovës dhe diaspora me remitencat.

“Ajo që është esenciale është fakti se derisa vendet e rajonit kanë bërë gara në hapat e rimëkëmbjes ekonomike dhe mbështetjen e bizneseve, në Kosovë edhe pandemia ka qenë e polarizuar, vet fakti që në mars kemi pasur Pakon Emergjente dhe deri në dhjetur nuk kemi arritur të votojmë Pakon e Rimëkëmbjes, këtu mund të shihet sa shumë është folur për pandeminë dhe sa pak është bërë në luftë kundër pandemisë. Në këtë drejtim besoj që janë tri shtylla të cilat meritojnë respekt të pakontestuar sa i përket ekonomisë në Kosovë. E para gjindshmëria dhe afiniteti i sektorit privat, e dyta janë qytetarët e Kosovës dhe së treti diaspora që kanë kontribuar shumë. Ka qenë një vit me afera ku është shfrytëzuar vakuumi i komunikimit amoral mes politikanëve në Kosovë, kemi vjedhjen spektakolare në thesar, e cila pothuajse është heshtur.”, tha Gërxhaliu për lajmi.net.

Sipas Gërxhaliut, Kosova në vitin 2021 duhet të kërkojë stabilitetin politik, derisa shprehet se do t’i duhet dyfishi i kohës së vendeve të rajonit që të ndodh rimëkëmbja totale ekonomike për shkak të vonesave që kanë ndodhur.

“Besoj që më në fund duke pasur parasysh faktin që po hyhet në kampanjë zgjedhore, atëherë është miratuar ligji për buxhet për vitin 2021, i cili do të jetë ekzistencial dhe jo ekonomik, por i ka dy komponenta bazike në vete, mundëson financimin e zgjedhjeve dhe mbështetjen e pakove ekonomike. Pandemia më e madhe në Kosovë nuk është koronavirusi, por pandemia politike dhe derisa nuk ka hapa për stabiltet politik, hapat e tjerë do të mungojnë. Fakti që vendet e rajonit kanë bërë më shumë hapa drejt rimëkëmbjes ekonomike, Kosovës do t’i duhet dyfishi i tyre për rimëkëmbjen totale ekonomike dhe kjo është kryekput pasojë e mospajtimeve politike.”, tha Gërxhaliu për lajmi.net në fund.

Përformancë e dobët në arsim, ndikimi i pandemisë do të bartet për vite me radhë

Eksperti i arsimit, Rinor Qehaja është shprehur se viti 2020 nuk ka qenë i mirë për arsimin. Sipas Qehajës, pasojat dhe ndikimi i pandemisë në arsim do të ndjehen për vite me radhë.

Ai ka thënë se reagimi ndaj kësaj situate nuk mund të ishte më i mirë për shkak të mungesës në investimet në digjitalizim.

“2020-ta ishte vit jo i mirë për arsimin në vend, ndikimi i pandemisë në cilësi të mësimdhënies dhe mësim nxënies është shumë evident, dhe ky ndikim do të bartet tutje për vite me radhë, dhe atë jo vetëm si performancë jo e mirë akademike të nxënëseve. Periudha e nxënësve jashtë shkollës thelloi tutje ngecjen që tashme kishim në sistemin tonë arsimor. Reagimi karshi situatës së jashtëzakonshme të pandemisë nuk do të mund të ishte më i mirë – neve mungojmë në investime sistematike në digjitalizim, andaj, edhe jo efikasiteti i të mësuarit online nuk është shumë befasues.”, tha Qehaja për lajmi.net.

Më tutje, Qehaja shprehet se në vitin 2021 duhet të krijohet një konsensus nacional për reforma thelbësore në arsim.

“Ajo çfarë pres për vitin 2021, është që së paku me legjislacionin e ri, të krijohet një fryme politike për një konsensus nacional për reforma thelbësore në arsim. Në të kundërtën jemi duke u kthyer në të njëjtin cikël të intervenimeve të pakëta pa ndikim, të qeverive që në vazhdimësi ndryshojnë.”, tha Qehaja për lajmi.net.

Diplomaci e pasuksesshme, mungesa e konsensusit të brendshëm dhe të jashtëm po e penalizon Kosovën

Profesori universitar dhe eksperti i integrimeve evropiane Avni Mazreku është shprehur se Kosova është vend i vogël dhe relativisht i ri, prandaj sipas tij, artikulimi dhe promovimi i politikës së jashtme do të duhej të bëhej në kontekst nacional.

Kosovës sipas Mazrekut i ka munguar konsensusi i brendshëm dhe qasja nacionale kështu që ky mos-harmonizim brenda-institucional po e penalizon Kosovën.

“Mendoj që Kosova është vend i vogël dhe relativisht i ri sepse në aspektin e zhvillimit dhe historisë politike, një histori 12 vjeçare quhet shtet i ri. Prandaj, shtetet e reja, ndërtimi, promovimi dhe artikulimi i politikës së jashtme do të duhej të përceptohej dhe të artikulohej në kontekst nacional dhe rrjedhimisht politika e jashtme do të duhej të artikulohej në një kontekst më koherent dhe më konsistent që janë dy elemente që i kanë munguar Kosovës. Kosovës i ka munguar një qasje nacionale dhe i ka munguar kjo që quhet konsistencë në politikën e jashtme. Kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së konsensusit së paku brenda faktorëve politikë parlamentar. Kosovën e ka karakterizuar gjithashtu edhe mungesa e konsensusit sa i përket harmonizimit të qëndrimit brenda-institucional siç ka qenë çështja e rolit të presidentit dhe qeverisë së Kosovës që po përsëritet ndër vite.”, tha Mazreku.

Më tutje, Mazreku është shprehur se përveç faktorëve të brendshëm ka pasur edhe faktorë të jashtëm që kanë ndikuar në dështimin diplomatik të Kosovës. Njëri prej tyre është BREXIT-i sipas Mazrekut që e ka afektuar politikën e përbashkët të Bashkimit Evropian karshi çështjeve të hapura dhe të pazgjidhura të Ballkanit Perëndimor.

Ai tutje shprehet se Bashkimi Evropian ka mungesë konsensusi në zgjdhjen e çështjeve të hapura dhe të pambyllura të Ballkanit Perëndimor dhe njëra ndër to sipas Mazrekut është edhe çështja e njohjes së statusit final të Kosovës. Sipas tij, BE nuk e njeh Kosovën si vend i pavarur dhe derisa ekzistojnë pesë shtete që nuk e njohin Kosovën brenda BE-së, ambiciet e Kosovës për anëtarësim në BE janë imagjinare.

“Në këtë vit, vitin 2020 ka pasur shumë divergjencë mes këtyre faktorëve institucional, mes ish-kryeministrit Kurti dhe ish-presidentit Thaçi, gjithashtu qëndrime të ndryshme brenda-institucionale, parlamentare e brenda-nacionale Kosovën e kanë karakterizuar ndër vite dhe kjo mendoj ka qenë ndër hendikepet sa i përket artikulimit dhe avancimit të Kosovës në politikë të jashtme. Komponenti i dytë që ka ndikuar ka qenë edhe faktorët ndërkombëtarë, e sidomos ata evropianë. Brexit-i e ka ndikuar politikën e përbashkët të Bashkimit Evropian dhe kjo e ka ndikuar rolin intensiv të BE-së të dekadës së parë të këtij shekulli ku BE ka pasur një zgjerim nga 15 në 25 shtete, pra gati është dyfishuar numri i shteteve anëtare, kjo e dëshmon që BE ka qenë faktor determinues i zhvillimeve brenda kontinentit evropian. Pas BREXIT-it roli i BE-së në Ballkanin Perëndimor si pjesë e kontinentit të vjetër dhe si pjesë e Evropës, ne e shohim një margjinalizim të rolit të BE-së, edhe atje e ka karakterizuar mungesa e konsensusit në rolin e BE-së në zgjedhjen e çështjeve të hapura dhe të pambyllura të Ballkanit Perëndimor dhe njëra ndër to është çështja e njohjes së statusit final të Kosovës dhe kjo është çështja kryesore dhe një gjë tragjike pra, mos-njohja e pavarësisë së Kosovës dhe kjo e ka dekompozuar edhe atë që mund të quhet raport normal midis BE-së dhe një vendi aspirant për anëtarësim në BE. Kosova e ka aktualisht ambicie imagjinare anëtarësimin në Bashkimin Evropian.”, tha Mazreku më tutje.

Mazreku shprehet se mungesa e konsensusit nacional dhe institucional si faktor i brendshëm dhe BREXIT-it, fragjiliteti i Bashkimit Evropian dhe çasja e presidentit Trump kanë ndikuar në pozitën diplomatike të Kosovës.

“Faktor tjetër mendoj që e ka afektuar pozitën e Kosovës ka qenë administrata e Trump. Ne e kemi parë fillimisht se pas ardhjes së Trump në krye të SHBA-ve një qasje jo të mirë ndaj NATO-s që e përbëjnë shumica e shteteve të Bashkimit Evropian dhe presidenti Trump e ka karakterizuar një mungesë e bashkërendimit midis BE-së dhe SHBA-ve sa i përket Ballkanit Perëndimor. Viti 2020 është vit i pandemisë nga përhapja masive e virusit COVID-19 dhe po ashtu zgjedhjet në SHBA që e kanë margjinalizuar politikën e jashtme dhe viti 2020 nuk mund të konsiderohet vit i suksesshëm në planin e avancuar të politikës së jashtme. Si konkluzion është mungesa e konsensusit nacional dhe institucional dhe si faktor i jashtëm është BREXIT-i dhe fragjiliteti i BE-së për zgjidhjen e problemeve të Ballkanit Perëndimor dhe gjithashtu edhe çështja e presidentit Trump.”, tha Mazreku për lajmi.net.

Në fund, Mazreku thotë se Kosova duhet të fokusohet që të arrijë njohjen e pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që deri më tani nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe kështu mund të flitet për anëtarësimin e Kosovës në BE.

“Në vitin që po vjen Kosova duhet që urgjentisht të konsiderojë prioritet të politikës së jashtme avancimin në njohjen nga 5 shtetet e BE-së që nuk e njohin. Derisa vazhdon të jetë në programin e çdo partie politike çështja e anëtarësimit në BE, atëherë duhet të dihet që Kosova smund të anëtarësohet në BE pa u njohur nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së, prandaj top-prioritet i politikës duhet të jetë avancimi në procesin e njohjes nga pesë shtetet anëtare të BE-së, në këtë moment ne mund të konsiderojmë si raport normal, raportin apo marrëdhëniet Kosovë – BE, dhe e dyta dihet që BE është njëri nga faktorët kryesorë në procesin e negociatave Kosovë – Serbi dhe Kosova nuk duhet të presë shumë nga BE në këtë proces kur dihet se vet BE nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe kjo përsëri do të ishte ambicie imagjinare. Këta dy faktorë duhet të jenë të qartë dhe duhet të jemi të vetëdijshëm për rreziqet eventuale politike dhe juridike që mund t’ia shkaktojnë këta dy faktorë Kosovës.”, tha Mazreku në fund.

Shoqëria kosovare mes frikës nga COVID-19 dhe solidaritetit virtual 

Sociologu Jeton Brajshori për lajmi.net është shprehur se Kosova si vend me shëndetësi dhe ekonomi të dobët ka bërë që pandemia të lërë gjurmë në të gjitha aspektet shoqërore. Humbja e vendeve të punës dhe problemet ekonomike kanë ndikuar në mirëqenien sociale dhe së këndejmi kanë rritur rastet e dhunës në familje, divorcit dhe gjithashtu kanë shkaktuar probleme psiqike.

Sipas Brajshorit, përballja për herë të parë me karantinimin ka bërë që rastet e dhunës në familje të rriten për më shumë se 30 për qind ku viktima nuk kanë qenë vetëm gratë, por edhe fëmijët.

“Viti 2020, do të mbahet mend nga pandemia globale e cila na kaploi të gjithëve. Edhe shoqëria jonë si shumë të tjera nuk kishte ndonjë njohje më konkrete sa i përket këtij virusi (ndonse një virus tjetër ishte përhapur në vitet 60-ta ,“variola vera“ por jo me këto përmasa). Njerëzit gjithmonë reagojnë në panik kur përballën me diqka të panjohur, kështu ndodhi edhe tek ne. Kosova si vend me një ekonomi dhe shëndetësi të dobët, ka bërë që pandemia të lërë gjurmë në të gjitha aspektet shoqërore. Pandemia përveq shëndetit ka afektuar edhe shumë sfera të tjera të jetës sidomos atë ekonomike. Humbja e vendeve të punës, na ka vë në vështirësi tjetër, afekti nuk ka qenë vetëm në mirëqenie sociale por ajo ndikon edhe në dhunën në familje, divorc dhe probleme tjera psiqike. Të përballur për herë të parë me karantinim, rastet e dhunës në familje janë rritur për më shumë se 30% ku viktima nuk kanë qenë vetëm gratë por edhe fëmijët.”, tha Brajshori.

Brajshori është shprehur se rrjetet sociale kanë ndikuar pozitivisht në këtë fazë për arsye të ndërveprimit të njerëzve, ose kushtimisht thënë të një solidariteti virutal të njerëzve.

Sipas tij, Kosova ende është në pikun e pandemisë dhe nuk pritet të ketë normalizim deri në efektin e pritur të vaksinës, ndërsa sipas tij pasojat në ekonomi mund të shkojnë deri në një dekadë, por edhe pasojat tek njerëzit dhe tek socializimi mund të jenë më të gjata.

“Blerja në panik e sipër të kujtonte kohën e luftës për të bërë sa më shumë rezerva sepse nuk i dihej se kur do të përfundonte. Rrjetet sociale kanë bërë që kjo pandemi të kalohet më lehtë sepse kemi komunikuar vazhdimisht me njëri-tjetrin, po ashtu edhe mësimi nuk ka mbetur aq shumë anash për shkak të mundësisë së mësimit online. Në këtë pikë ka ardhur në shprehje edhe shkalla më e lartë e motivacionit njerzorë sipas psikologut Abraham Maslow, ku në piramidën e tij të famshme, shkalla më e lartë është ajo e vetëaktualizimit. Duke qenë të izoluar secili në shoqërinë tonë ka fillur ti zbulojë ato talente që ka, e të cilat në mungesë kohe nuk kanë mundur të zbulohen për shkak të punëve të ndryshne ditore. Edhe pse në distancë jemi bërë më solidar me njëri tjetrin. Solidariteti ka qenë virtyt tek shqiptarët gjithmonë, sidomos është më i madh tek shtresat e varfëra të cilat ia kuptojnë hallin njëri-tjetrit. Ne ende jemi në pikun e pandemisë dhe nuk pritet që të ketë normalizim deri vitin tjetër (nëse vaksina jep efektin e duhur), ndërsa pasojat në ekonomi mund të shkojnë deri në një dekadë. Ekziston një skepticizëm ndoshta me të drejtë tek njerzit se sa do të lë pasoja pandemia në socializimin e mëtutjeshëm sidomos kontakteve post-pandemike.”, tha Brajshori.

Brajshori thotë se shoqëria megjithë sfidën e madhe sociale të izolimit duhet të përballet edhe më tutje me virusin COVID-19 dhe të jetë e kujdesshme që pandemia të mos përhapet edhe më tutje.

Sipas tij, shprsat për vitin 2021 janë që të fillojë mbarë dhe që pandemia ta humbë fuqinë.

“Edhe në të kaluarën shoqëria jonë është përballur me sfida edhe më të mëdha dhe i ka tejkaluar me sukses të gjitha. Njëjtë do të jetë edhe me pandeminë, problemi ka qenë se në fillim ka pasur shumë më pak raste dhe vdekje, por kemi qenë shumë më vigjilent, ndërsa me kalimin e kohës nuk e kemi marrë shumë seriozisht dhe kemi shumë raste dhe vdekje. Kjo vjen për arsyje se jemi liruar nga përballja me një të panjohur (e cila ende mbetet si e tillë) por edhe pse kemi vetëbesim të tepruar në vete e cila mund ti kushtojë me jetë dikujt tjetër dhe si shoqëri jemi shumë të hapur me njëri tjetrin. Mbesim me shpresën se viti 2021 do të filloj mbarë, pandemia do të shkon duke e humbur fuqinë, por shoqëria jonë duhet të ketë progres më të madhë në shumë aspekte dhe jo regres e cila po  ndodh në disa çështje shumë senzitive.”, tha sociologu Brajshori në fund.

Mbetet të shihet se çfarë ka rezervuar për botën viti 2021, pasi viti 2020 është vit për të cilin të gjithë do të mundohen të harrojnë. /Lajmi.net/