Kosova 17: Qytetarët mes shpresave të dikurshme dhe sfidave të sotme
Më 17 shkurt, 17 vjet më parë, mot i acartë në Kosovë. Temperatura pasdite shënonte rreth minus 11 gradë Celsius. Rrugët e Prishtinës ishin të mbushura me mijëra qytetarë, që kishin arritur nga të gjitha anët e vendit, por edhe jashtë tij. Objektet e institucioneve të Kosovës, Qeverisë dhe Kuvendit, vlonin përbrenda. Seancë e jashtëzakonshme…

Lajme
Më 17 shkurt, 17 vjet më parë, mot i acartë në Kosovë. Temperatura pasdite shënonte rreth minus 11 gradë Celsius.
Rrugët e Prishtinës ishin të mbushura me mijëra qytetarë, që kishin arritur nga të gjitha anët e vendit, por edhe jashtë tij.
Objektet e institucioneve të Kosovës, Qeverisë dhe Kuvendit, vlonin përbrenda. Seancë e jashtëzakonshme parlamentare.
Në orën 15:39 minuta, liderët institucionalë shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
Deklaratën e pavarësisë e votuan të 109 deputetët e pranishëm në seancë, të cilët i vendosën nënshkrimet e tyre në një pergamenë ku ishte shkruar ajo.
Brenda ndërtesës së Qeverisë, artistët bashkë me drejtuesit institucionalë koordinoheshin për koncertin festiv të asaj nate.
Pjesë e atij organizimi ishte edhe aktori kosovar, Fatmir Spahiu, tash 43-vjeçar.
Ai kujton se menjëherë pas momentit solemn të shpalljes së pavarësisë, vrapoi drejt shtëpisë së tij në Prishtinë për ta marrë djalin, atëkohë dhjetë muajsh.
Ai thotë se dëshironte ta materializonte kujtimin e momentit për të dy brezat.
“Kam shkuar e kam marrë djalin, vetëm sa për ta bërë një fotografi që ta kisha kujtim me djalin foshnje. Kjo ka qenë një mënyrë se si jam munduar ta manifestoj krejt atë gëzim”, thotë Spahiu për Radion Evropa e Lirë.
Spahiu shton se, asokohe, pritjet për zhvillimin e vendit kanë qenë të mëdha, por, sipas tij, nuk janë realizuar krejtësisht.
“Ata që do të lexojnë historinë e Kosovës, do të thonë: ‘sa shpejt, çfarë zhvillimi i mirë, çfarë ndryshimi’. Mirëpo, për ne që po e jetojmë këtë periudhë, ka probleme. Ekonomia është akoma përtokë, shëndetësia është katastrofale, sistemi arsimor lë shumë për të dëshiruar. Nuk kemi përparime thelbësore të dukshme”, thotë Spahiu.
Në qytetin e Ferizajt, 17 vjet më parë, familja e Albulena Avdylit ishte mbledhur para ekranit të televizionit, për të parë transmetimin e drejtpërdrejtë të momentit të shpalljes së pavarësisë së vendit në Kuvendin e Kosovës.
Albulena thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjithë kishin përjetuar emocion të fortë gëzimi.
“Ka qenë ndjesi shumë e mirë, sepse shumica e kanë përjetuar si diçka të paharrueshme, si diçka që nuk përsëritet… E kanë përjetuar një ëndërr që po bëhej realitet”, thotë ajo.
Por, në 17 vjetët që pasuan, thotë se përparimi i vendit ka qenë i kufizuar. Sipas saj, politikanët shprehin ambicie për zhvillimin e vendit vetëm nëpër fushata zgjedhore.
“… pastaj i ndalin, nuk po kanë shumë ambicie sikur para zgjedhjeve. Po shpresoj që në të ardhmen të punojnë më shumë”, shprehet ajo.
Shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt, 2008, Sherif Krasniqi, tash pensionist, kujton se e priti në sheshin kryesor të Prishtinës, bashkë me mijëra qytetarë të tjerë.
Atë moment thotë se e kishte pritur tërë jetën e tij.
“Ka qenë diçka shumë hyjnore për ne. Kemi menduar se për një kohë shumë të shkurtër do të bëhemi vendi më i lakmuar për të gjithë”, thotë Krasniqi.
Por, sipas tij, nuk ndodhi kështu. Ai shprehet i zhgënjyer me politikëbërësit, që, siç thotë, i kanë dhënë përparësi luftës për pushtet, para zhvillimit të vendit.
“Unë nuk jam i kënaqur, për një shkak. E kam një djalë. Më është dashur që para 15 vjetësh t’i them ‘merre botën në sy e jetoje jetën’, sepse e kam parë që ata që i kanë zënë karriget, nuk i lëshojnë. Të luftojmë me ta, ne nuk mundemi”, thotë Sherifi për Radion Evropa e Lirë.
Për Nazlie Balën, aktiviste politike nga Prishtina, ndjesia e gëzimit që ka përjetuar 17 vjet më parë, në momentin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është e papërshkrueshme.
“Për mua, e rëndësishme është liria. Për mua, i rëndësishëm është shteti. Natyrisht që shtetin e çon përpara shoqëria. As atëherë e as tash nuk pres më shumë përveç hapave realë, politikës pragmatike dhe zhvillimit shoqëror”, thotë Bala.
Në vitet pas pavarësisë, sipas saj, ka pasur mjaft ndryshime pozitive në vend dhe në to, siç shprehet, ka ndikuar vetë shoqëria kosovare – përpara politikanëve dhe drejtuesve institucionalë.
“Është shtëpia jonë e përbashkët. Aty ku secili anëtar i familjes kontribuon në zhvillimin, emancipimin dhe edukimin e shtëpisë, aty ka prosperitet”, thotë Bala.
Bashkë me deputetët shqiptarë, 17 vjet më parë, deklaratën e pavarësisë së Kosovës e nënshkruan edhe ata të komuniteteve joshumicë, përveç dhjetë deputetëve të komunitetit serb, të cilët e bojkotuan seancën solemne të 17 shkurtit, 2008.
Çfarë thonë pjesëtarët e komuniteteve joshumicë?
Për Millijanën, pjesëtare e komunitetit serb, e cila jeton në Graçanicë, data 17 shkurt, 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës, nënkupton “më të keqen”.
Sipas saj, pozita e serbëve vetëm se është përkeqësuar gjatë 17 vjetëve të fundit. Në këtë kontekst, ajo përmend heqjen e dinarit serb nga përdorimi dhe mbylljen e institucioneve serbe që funksiononin nën sistemin e Serbisë në Kosovë – hapa këta që u morën nga autoritetet e Kosovës, viteve të fundit.
“Gjithçka ndryshoi për më keq dhe asgjë për më mirë. Para së gjithash, ne nuk kemi ku të tërheqim para [në dinarë nga buxheti i Serbisë]. Ne shkojmë në Serbi, e paguajmë vetë udhëtimin dhe gjendemi vetë. Jeta këtu është e tmerrshme”, thotë Millijana.
Ajo shton se as liria e lëvizjes nuk është “për lëvdata”. Në Kosovë thotë se nuk sheh perspektivë, por se nuk ka ku të shkojë.
Ndryshe mendon Orhan Llopar nga Prizreni, pjesëtar i komunitetit turk. Për të, Kosova sot është një vend më i mirë se 17 vjet më parë, kur ishte shpallur shtet i pavarur.