Koreja e Veriut pretendon se ka ilaç kundër MERS-it
Koreja e Veriut ka pretenduar se ka një kurë për virusin që shkaktohet nga sindromi i frymëmarrjes të Lindjes së Mesme (MERS), e cila ka marrë më shumë se 20 jetë në Korenë e Jugut.
Bota
Nga ky virus në Korenë e Jugut deri më tani kanë vdekur 24 persona nga gjithsej 166 të infektuar, nga 20 maji, kur edhe u shfaq për herë të parë ky virus në këtë vend. Pheniani zyrtar pretendon se posedon ilaçin e quajtur “Kumdang-2” për trajtimin efektiv të virusit. Bëhet fjalë për një përzierje të bimëve aziatike ginseng dhe përbërës të tjerë natyrorë, transmeton Anadolu Agency .
“Ky është një injeksion shumë kualitativ, i cili mund të parandalojë disa epidemi malinje”, theksojnë mediat në Korenë e Veriut.
Megjithatë, zyrtarisht ende nuk ka shërim për koronavirusin që shkakton sindromi i frymëmarrjes të lindjes së mesme (MERS). Autoritetet në Korenë e Veriut edhe më herët janë mburrur se ky ilaç ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të rrezikshme të tilla si SARS dhe gripit të shpendëve.
Qeveria e Koresë së Jugut kanë thënë se 17 pacientë plotësisht janë shëruar nga MERS-i, ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë është njoftuar se ka filluar trajtimi i plazmës së gjakut të marra nga pacientët të cilët me sukses kanë luftuar infeksionin.
Deri më tani, në karantinë janë vendosur mijëra njerëz, ndërsa autoritetet e Koresë së Jugut janë duke luftuar kundër një sëmundje relativisht të re, e cila për herë të parë u shfaq në Arabinë Saudite tre vjet më parë. Atëherë konsiderohej se transmetohej nga deveja tek njeriu, por doli se virusi transmetohet edhe nga njeriu në njeri, përmes teshtitjes, kollitjes dhe lëngjeve të trupit.
Besohet se në maj në Korenë e Jugut virusin e solli një udhëtar i cili u kthye nga Bahrejni, pasi që në mënyrë zinxhirore filluan të infektohen personat që kishin kontakt me të. Simptomat e infeksionit janë të ngjashme me ftohjet, ndërsa të infektuarit kanë probleme të frymëmarrjes. Përqindja e vdekshmërisë të shkaktuara nga infeksioni MERS është vlerësuar në 40 përqind.