Kordinatorja e zgjedhjeve: Rreth tetë incidente të raportuara, s’ka të ndaluar

Rreth tetë raste janë raportuar si incidente, por nuk kanë rezultuar me elemente të veprës penale, thotë koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula. Ajo për KosovaPress konfirmon se nuk është arrestuar asnjë person për keqpërdorim të votës në këto zgjedhje lokale, deri në mesditë. Në një intervistë për KosovaPress, prokurorja nga Zyra e Prokurorit…

Lajme

12/10/2025 16:06

Rreth tetë raste janë raportuar si incidente, por nuk kanë rezultuar me elemente të veprës penale, thotë koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula. Ajo për KosovaPress konfirmon se nuk është arrestuar asnjë person për keqpërdorim të votës në këto zgjedhje lokale, deri në mesditë.

Në një intervistë për KosovaPress, prokurorja nga Zyra e Prokurorit të Shtetit thotë se janë 100 prokurorë dhe staf mbështetës të shpërndarë në të gjitha komunat për të mbrojtur votën e lirë të qytetarëve.

“Roli i prokurorit në zgjedhje, jo vetëm në këto por duke filluar që nga viti 2013, bazuar në memorandum-bashkëpunimin që e kemi me të gjitha organet dhe institucionet relevante është që ta mbrojë votën e lirë të qytetarëve. Kjo ka treguar sukses ndër vite edhe në secilën palë zgjedhje. E them sukses ngase nëse e bëjmë një krahasim me zgjedhjet të cilat kanë qenë pothuajse zgjedhjet e këqija në Republikën e Kosovës, ka një ndryshim drastik të numrit të personave të cilët kanë manipuluar votën e qytetarit. Kjo falë këtij bashkëpunimi dhe rolit të prokurorit që tanimë e ka bërë pothuajse rutinë punën e tij në zgjedhje. Në këto zgjedhje kemi të angazhuar diku 100 prokurorë së bashku me staf mbështetës të shpërndarë në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe qëllimi është që në mënyrë efikase dhe proaktive të veprohet në parandalimin e kryerësve të veprave penale apo që kanë të bëjnë me të drejtën e votimit, apo manipuluesve dhe mashtruesve në çdo lloj mënyrë”, deklaron ajo.

Deri më tani, Pula thotë se nuk është ndaluar asnjë person për veprën penale që lidhet me keqpërdorim të votës.

“Bazuar në numrin e votuesve dhe raportimit të rasteve mund të themi lirisht se nuk e kemi asnjë person të ndaluar deri më tani për veprën penale që ka të bëjë me të drejtën e votimit apo nga kapitulli i posaçëm që në vete ngërthen 11 vepra penale…Nëse një votë fotografohet dhe ekspozohet dhe i tregohet dikujt që mund të jetë për qëllime të ndryshme, qofshin ato kanosje apo përfitime materiale, gjendje ekonomike atëherë kjo bie në domenin e veprës penale. Çdo person që fotografon votën do të ndalohet dhe do të verifikohet se për çka e ka fotografuar atë votë. Është e vërtetë që kemi pasur raportime për tri raste, mirëpo ata janë intervistuar dhe janë liruar ngase nuk është vërtetuar që ka pasur ndonjë pretendim të caktuar”,shton Pula.

Prokurorja Laura Pula thotë se janë raportuar deri në tetë raste si incidente, por asnjë nuk është vërtetuar që ka elemente të veprës penale.

“Ka pasur edhe raste të tjera, të iniciuara, të ndryshme, të cilat nuk kanë përbërë vepër penale. Dua të ju bëjë me dije edhe një trajtim tjetër të incidenteve të ndryshme, se këto incidente gjatë ditës së zgjedhjeve mund të ndahen në tri kategori, ndahen në kategorinë e shkeljes administrative, që nuk kanë të bëjnë fare me Prokurorin e Shtetit, mund të jenë kundërvajtje prapë nuk kanë të bëjnë me përgjegjësi penale dhe trajtohen nga Policia, e treta nëse përmbushet ndonjë element i veprës penale nga 11 veprat penale që i kemi, atëherë Prokurori ka të drejtë të merr veprime adekuate për të cilat i ka standardet e veprimit së bashku me Policinë e Kosovës dhe mund të vendos aty për aty edhe ndalimin e këtyre personave…Janë 7-8 raste të cilat janë raportuar si incidente, por pas marrjes së informatave dhe pas verifikimit të tyre të mirëfilltë kanë rezultuar që nuk kemi të bëjmë me vepër penale dhe prandaj nuk mund të themi se sot kemi persona të arrestuar për veprën penale që lidhen me keqpërdorimin e votës në zgjedhjet lokale”, përfundon ajo.

Gjatë ditës, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi ka vizituar Dhomën operative për monitorimin e procesit zgjedhor në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ku u prit nga koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula.