Kontrolli Ajror pranë mbylljes, arsye borxhet nga shpronësimi më 2003

Xhirollogaritë e Kontrollit Ajror janë mbyllur për shkak të zbatimit të vendimit të Gjykatës, që ka të bëjë me disa borxhe për shpronësimin e pronave.

Lajme

01/04/2015 20:51

Zyrtari i Kontrollit Ajror, Driton Ujkani tha për lajmi.net se nesër Kontrolli Ajror do të dalë me qëndrim se cilë do të jenë hapat e mëtejshëm.

Ai shtoi se borxhet janë për shpronësimin e disa pronave dhe ato janë trashëguar me rastin e koncensionimit të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”

“Në  fakt xhirollogaritë janë bllokuar, por për hapat e mëtejshëm nesër do të dalim me konfirmim”.

“Ka qenë rasti i kompensimit të pronave, pra shpronësimi prej vitit 2003,  ato kanë qenë borxhe paraprake që ne si Kontroll Ajror i kemi trashëguar me rastin e koncensionimit”.

Ndonëse në media u raportua se janë rreth 150 punëtorë që kanë mbetur pa rrogat e muajit mars, për shkak të mbylljes së xhirollogarive, Ujkani tha për lajmi.net se janë xhirollogari të Kontrollit Ajror dhe nuk dëshiron që të japë më shumë detaje, duke ripërsëritur se nesër do bëhen publikë hapat e mëtejshëm.

“Janë xhirollogari të Kontrollit Ajror. Janë mbyllur xhirollogaritë e Kontrollit Ajror për shkak të këtyre borxheve për shpronësim”, tha Ujkani.

Kontrolli Ajror është pjesë e institucioneve republikane dhe mbyllja e tij do t’ia pamundësonte operimin Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. (Lajmi.net)

Kontrolli Ajror1