Konsultimi me partitë politike pas dështimit të formimit të qeverisë, kritikohet Osmani për mosqëndrimin në Kosovë
Një ditë pas dështimit për formimin e qeverisë së re, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Riad të Arabisë Saudite. Një gjë e tillë po konsiderohet e pakuptimtë nga shoqëria civile, meqë sipas tyre e para e vendit do të duhej të qëndronte në Kosovë për t’i ftuar për konsultime…
Lajme
Një ditë pas dështimit për formimin e qeverisë së re, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Riad të Arabisë Saudite. Një gjë e tillë po konsiderohet e pakuptimtë nga shoqëria civile, meqë sipas tyre e para e vendit do të duhej të qëndronte në Kosovë për t’i ftuar për konsultime partitë politike. Të njëjtit theksojnë se presidentja Osmani do të duhej t’i niste që sot diskutimet, qoftë edhe përmes shkresave me kryetarët e partive parlamentare, për të parë nëse i garantohet formimi i një shumice të re parlamentare ose dakordimi për datën e zgjedhjeve të reja të parakohshme.
Në anën tjetër, nga Zyra e Presidencës thanë për KosovaPress, se presidentja Osmani do t’i ftojë partitë politike për konsulta brenda afatit kushtetues. Në bazë të Kushtetutës, Osmani ka afat dhjetë ditë, deri më 5 nëntor, për t’i ftuar për konsulta partitë politike.
Mirëpo, sipas hulumtuesit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, presidentja Osmani nuk duhet ta presë afatin maksimal, por sa më parë të nisë konsultat me partitë politike për të parë kah do të rrjedhin procedurat kushtetuese.
“Duke e ditur se dje ka qenë e pritur që do të mbahet pra seanca. Është deri diku e pakuptimtë sesi presidentja e vendit, në një situatë të tillë kaq të ndjeshme politike dhe kushtetuese, nuk ndodhet në vend. Çdo moment i humbur është një mundësi e humbur për gjetjen e ndonjë daljeje nga kjo situatë apo në skenarin tjetër që mos të humbet kohë me këto procedura…Ajo çfarë ka rëndësi, është që 5 nëntori është data e fundit kur presidentja duhet t’i japë rrugë procesit aktual. Në këtë drejtim, unë besoj që sa më parë që të zhvillohet diskutimi me partitë, aq më mirë për vendin, sepse do ta kemi parasysh se cila është kahja drejt së cilës do të rrjedhin procedurat kushtetuese”, thekson Cakolli.
Në anën tjetër, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë për KosovaPress, se presidentja Osmani mund të komunikojë përmes shkresave me kryetarët e partive politike dhe s’ka nevojë që gjithsesi të pritet për takime fizike.
“Presidentja mund të komunikojë edhe përmes shkresave me kryetarët e partive politike. Nuk ka nevojë të pritet që ajo të vijë dhe të konsultohet me partitë politike. Edhe në praktikat e mëhershme është bërë që presidenti i kaluar ka komunikuar në vitin 2019 përmes shkresave dhe telefonit me partitë politike. Pra, nuk do të thotë që gjithsesi të konsultohet me takime fizike për të marrë informacion nga partitë nëse janë të gatshme të formojnë një qeveri tjetër nga partitë e tjera ose sërish LVV-ja”, shton Jakaj.
Mandatari për kryeministër, Albin Kurti, prezantoi kabinetin qeveritar para Kuvendit më 26 tetor, mirëpo i njëjti dështoi të formojë qeverinë e re, pasi mori vetëm 56 vota për nga 61 të nevojshme.
Sipas hulumtuesit në KDI, Eugen Cakolli, presidentja Osmani duhet të shohë nëse ka gatishmëri nga dikush në Kuvend që të marrë mandatin dhe të provojë për herë të dytë të formojë qeverinë.
Ai shton se presidentja mund t’ia japë sërish mandatin LVV-së, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, apo që këtë t’ia japë cilësdo parti tjetër, e cila e përmbush kriterin e dëshmisë së numrave përmes nënshkrimeve të deputetëve.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese në disa raste e ka qartësuar se nëse asnjë prej partive nuk dëshiron ta marrë mandatin për formimin e qeverisë, atëherë presidentja mund të konstatojë mungesën e shumicës së nevojshme parlamentare dhe të shpërndajë Kuvendin, duke caktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme.
Zgjedhjet e reja, siç thotë Cakolli, duhet të mbahen brenda afatit dyzetditor. Në bazë të këtij afati, ai thotë se gjasat janë që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në mes të datës 7 dhe 14 dhjetor të këtij viti.“E para është se a ka gatishmëri nga ndonjë prej palëve që të marrë mandatin dhe të provojë për herë të dytë që të formojë qeverinë. Në këtë drejtim duhet përmendur që janë dy mundësi: e para, që presidentja e vendit në bazë të kritereve mbizotëruese që ajo i ka nën diskrecion, t’ia japë sërish mandatin partisë së parë që të provojë sërish ta formojë qeverinë, apo që këtë t’ia japë cilësdo parti tjetër, e cila e përmbush kriterin mbizotërues të caktuar nga ajo, që zakonisht është përmes dëshmimit të numrave, përmes nënshkrimeve nga ana e deputetëve. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e ka qartësuar në disa raste se nëse asnjë prej palëve nuk dëshiron ta marrë mandatin për formimin e qeverisë, atëherë kjo e bën të panevojshme konsumimin e një procedure të tillë. Unë besoj që mbi këtë bazë presidentja e vendit, në rast se asnjë prej partive politike nuk shpreh gatishmëri, por as gjasa reale për ta formuar qeverinë, mund të konstatojë mungesën e shumicës së nevojshme parlamentare, ta shpërndajë Kuvendin dhe të caktojë datën e re të zgjedhjeve, të cilat duhet të mbahen brenda afatit dyzetditor. Në bazë të këtij afati, që është afat kushtetues, gjasat më të mëdha janë që zgjedhjet do t’i kemi në mes të 7 dhe 14 dhjetorit të këtij viti”, potencon ai.
Pas dështimit të Kurtit për ta formuar qeverinë e re, liderët e PDK-së, LDK-së, si dhe AAK-së kanë nënvizuar nevojën që vendi të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme. Sipas të njëjtëve, ata nuk do të marrin mandatin nëse iu ofrohet nga presidentja Vjosa Osmani.
Kosova s’ka themeluar qeverinë e re edhe mbi tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.