Konstituimi i Kuvendit, partitë politike vazhdojnë me retorikat e tyre

Kosova ka hyrë në javën e fundit për konstituimin e Kuvendit, në përputhje me afatin kushtetues 30-ditor. Por partitë politike vazhdojnë të jenë larg një marrëveshjeje, ndërsa retorika mes tyre po ashpërsohet. Kjo javë është vendimtare për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pasi afati kushtetues 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese është në prag të…

Lajme

21/07/2025 20:31

Kosova ka hyrë në javën e fundit për konstituimin e Kuvendit, në përputhje me afatin kushtetues 30-ditor. Por partitë politike vazhdojnë të jenë larg një marrëveshjeje, ndërsa retorika mes tyre po ashpërsohet.

Kjo javë është vendimtare për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pasi afati kushtetues 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese është në prag të përfundimit. Deputeti dhe ministri në detyrë, Faton Peci, theksoi nevojën për reflektim të menjëhershëm nga partitë politike, për ta shmangur dështimin e radhës.

“Mendojmë që është java kur është një mundësi ideale që partitë të reflektojnë, në një situatë kur dy parti politike kanë ofertë për bashkëqeverisje. Dua të besoj reflektim nga partitë politike, nëse nuk kemi nga Nisma e nga LDK, në këtë rast si bashkëkryetar i Guxo, mendoj që është faza kohore kur seriozisht gjitha partitë duhet t’i thirrin arsyes e të shohin mundësitë reale të diskutimit që t’i rikthehemi qytetarit”, tha Peci.

Nga radhët e PDK-së, skepticizmi mbizotëron. Blerta Deliu-Kodra e PDK-së nuk pret ndonjë zhbllokim të situatës, derisa ligjshmëria t`i kthehet Kuvendit.

“Është stërzgjatur çështja e seancave plenare. E kam të vështirë të besoj që do të ketë ndonjë zhbllokim të Kuvendit, sado që do të ishte në përgjegjësinë e VV-së dhe të koalicionit Alternativa dhe Guxo që t’i hapen rrugë kësaj situate të rëndë të krijuar dhe ta ndalin këtë degradim të institucionit më të lartë në vend”, tha ajo.

I njëjti qëndrim vjen edhe nga lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili nuk pret ndonjë marrëveshje mes LVV-së dhe Nismës, madje paralajmëron për pasojat kushtetuese.

“Nuk i lë hapësirë zhvillimit demokratik e as fjalës së lirë të deputetëve nëpërmjet uzurpimit të ulëses së Kuvendit. Nuk shoh dhe nuk pres ndonjë zgjidhje as në ditët e mbetura. Ajo çka pritet pas afatit 30 ditor, të kemi një interpretim të ri të Gjykatës Kushtetuese. Por ne kemi një interpretim dhe një mosrespektim të saj, që do të thotë kemi përmbysje të rendit kushtetues”, theksoi ai.

Edhe AAK nuk lë hapësirë për kompromis. Deputetja Time Kadrijaj e bëri të qartë se partia e saj nuk do ta mbështesë asnjë kandidat të propozuar nga LVV, përfshirë Fatmir Limajn.

“Ashtu siç kemi lexuar, nuk ka dakordancë, me 26 skadon afati kushtetues. Limaj duhet me patjetër t’i sigurojë 61 vota. Ne s’do të votojmë, jo veç Limajn por ne i kemi dhënë disa emra dhe i kemi dhënë si alternativë qe pesë–gjashtë muaj. Jemi duke menduar që asnjë kandidat që propozohet nga LVV, mos ta votojmë”, tha ajo.

Ndërkohë, nga radhët e komunitetit joshumicë, lideri i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, shprehu gatishmërinë për ta mbështetur kandidatin e Nismës – nëse ai vjen nga partia fituese.

“Nëse propozohet nga ana e partisë fituese, në këtë rast Vetëvendosja – po”, tha ai.

Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit përfundon më 26 korrik. Në mungesë të konsensusit, pritet që Gjykata Kushtetuese t`i interpretojë hapat e mëtejshëm për rrugëdalje institucionale./rtk