Konsiderohen shqetësuese abortet që realizohen pas javës së dhjetë të shtatzënisë

Dyert janë të hapura për çdo shërbim gjinekologjik. E sikurse lindjet, ashtu edhe procedurat e ndërprerjes së shtatzënisë kryhen nën kujdesin e stafit mjekësor, transmeton lajmi.net. Kështu, në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK kryhen qindra aborte në vit. “Numri i aborteve artificiale për vitin 2023 dmth deri më sot janë diku 84 aborte, po flasim…

Lajme

11/11/2023 22:33

Dyert janë të hapura për çdo shërbim gjinekologjik.

E sikurse lindjet, ashtu edhe procedurat e ndërprerjes së shtatzënisë kryhen nën kujdesin e stafit mjekësor, transmeton lajmi.net.

Kështu, në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK kryhen qindra aborte në vit.

“Numri i aborteve artificiale për vitin 2023 dmth deri më sot janë diku 84 aborte, po flasim për abortet të cilat kryhen deri në javën e dhjetë dhe janë të lejuara me ligj. Ndërsa numri është më i madh tek abortet nëse merret abortet që për shkaqe të ndryshme mjekësore lejon komisioni pas javës së dhjetë është numri më i madh”, bën të ditur drejtori i Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj.

Në anën tjetër – edhe brenda spitaleve private realizohen me dhjetëra aborte.

Vetëm njërin prej tyre kryen mesatarisht rreth 15 aborte në muaj deri në javën e dhjetë të shtatëzanisë.

“Abortet me dëshirë ta them kushtimisht nuk janë edhe numerikisht aq shumë të shprehur, ta them me një numër psh 10-15 në muaj për spitalin tonë po flas”, thotë Dërgut Aliu, drejtor i Spitalit “Lindja” për Tëvë 1.

E të gjitha këto intervenime sipas Aliut raportohen në Ministri të Shëndetësisë.

“Po- raportohet krejt, çdo intervenim çdo lindje çdo gjë raportohet në ministri”, shtoi ai.

Raportimi i çdo veprimtarie nga këto institucione publiko-private janë të rregulluara edhe në aspektin ligjor.

“Edhe institucionet private edhe institucionet publike veprimtarinë e tyre duhet ta bazojnë në ligj dhe natyrisht gjithsecili veprimtarinë e tyre duhet ta raportojë në lidhje me aktivitete të tilla”, theksoi avokati, Ardian Bajraktari.

Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë nuk i është përgjigjur interesimit të televizionit lidhur me statistikat e aborteve në spitalet private.

Vetëm vitin e kaluar janë realizuar gjithsej 1070 aborte në të gjitha spitalet publike.