Konservatorët në Iran fitojnë zgjedhjet parlamentare sipas rezultateve preliminare

Konservatorët në Iran pritet të fitojnë zgjedhjet parlamentare sipas rezultateve preliminare, kanë raportuar mediat lokale, duke theksuar se kandidatët e linjës së ashpër kanë shënuar përparësi në Teheran.

Bota

22/02/2020 16:55

Sipas raportimeve, një listë e kandidatëve konservatorë të drejtuar nga Mohammad Bagher Qalibaf pritet të fitojnë 30 ulëset e parlamentit.

Qalibaf, ish-udhëheqësi i Teheranit, pritet të jetë kryeparlamentari i ri.

Autoritetet kishin shtyrë votimin për 5 orë më shumë që t’ju mundësojnë sa më shumë njerëzve të marrin pjesë në votim. Rezultatet përfundimtare pritet të shpallen më 23 shkurt.

Këto janë zgjedhjet e para prejse Shtetet e e Bashkuara i kanë rikthyer sanksionet kundër Republikës Islamike, në maj të vitit 2018, për shkak të programit të saj bërthamor.

Këto sanksione e kanë goditur rëndë ekonominë e Iranit.

Mijëra kandidatë të moderuar janë ndaluar të marrin pjesë në zgjedhje, për shkak të, siç është thënë, mospërmbushjes së kushteve.

Për rrjedhojë, rezultati pritet të dobësojë politikisht presidentin Hassan Rohani, i cili shihet si më i moderuar.

Më shumë se 7,000 kandidatë garojnë për 290 ulëset e parlamentit, të njohur si Majlis.

Ai është pjesë e një sistemi të përzier të qeverisjes demokratike dhe teokratike në Iran, nën të cilin, udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, e ka fjalën e fundit për çështjet më të rëndësishme./REL