Konjufca uron pavarësinë e SHBA-ve: Si popull dhe si shtet jemi të lumtur që i përkasim kësaj aleance demokratike

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar ditën e pavarësisë së SHBA-ve, duke thënë se është ditë kur kremtohet demokracia dhe fitorja e saj. “Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është festë e popullit dhe shtetit amerikan, por dhe burim frymëzimi për këdo anembanë botës, shembull i idealit të lirisë,…

Lajme

04/07/2024 14:20

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar ditën e pavarësisë së SHBA-ve, duke thënë se është ditë kur kremtohet demokracia dhe fitorja e saj.

“Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është festë e popullit dhe shtetit amerikan, por dhe burim frymëzimi për këdo anembanë botës, shembull i idealit të lirisë, barazisë dhe e vullnetit të popull në të drejtën e vet. Është ditë kur kremtohet demokracia dhe fitorja e saj, kur kujtohen me respekt përpjekjet e atyre që me vendosmëri e sakrificë e mbajtën gjallë, deri në realizimin e tij, atë vizion çlirues që do të sillte përparimin më të jashtëzakonshëm brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe efekte të mëdha në mbarë botën“, ka shkruar Konjufca.

I pari i Kuvendit ndër të tjera tha se në këtë frymë, por në një kontekst tjetër, ShBA-ja vazhdon t’i prijë përpjekjes së aleancës së demokracive për ta ruajtur idealin e lirisë dhe barazisë së popujve, në luftën e pakompromis kundër autoritarizmit dhe pushtimit.

“Si popull dhe si shtet jemi të lumtur që i përkasim kësaj aleance demokratike, përkrah ShBA-së për të mbrojtur idealet dhe për të realizuar qëllimet tona të përbashkëta. Popullit amerikan dhe Shteteve të Bashkuara dua t’ua uroj nga zemra 4 Korrikun, këtë ditë të madhe të lirisë“, ka përfunduar Konjufca. /Lajmi.net/