Konjufca: Nuk frikësohemi nga kërcënimet e Vuçiq, ai po tenton t’i ruaj ato që nuk i ka më

Të premten e (13 shtatorit), presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq doli me disa masa për Kosovën. Shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, kanë qenë disa prej kërkesave kryesore…

Lajme

16/09/2024 12:46

Të premten e (13 shtatorit), presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq doli me disa masa për Kosovën.

Shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, kanë qenë disa prej kërkesave kryesore që ka përmendur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq për Kosovën.

E kërcënimet e vazhdueshme nga ana e Serbisë drejtë Kosovës janë në vazhdimësi.

Madje dje gjatë ditës ministri serb Nemanja Staroviq në një konferencë tha se këto masa do fillojnë së zbatuari në nëntor të këtij viti.

“Ne kemi kërkesa të qarta që ia kemi adresuar komunitetit ndërkombëtar, të cilat janë të bazuara dhe të shpjeguara, që kërkojnë kthimin në ‘status quo-në’, para se [kryeministri i Kosovës] Albin Kurti të prishte dhe të rrëzonte Marrëveshjen e Brukselit duke zbatuar masat e tij të njëanshme”, tha dje Staroviq.

Sot gjatë një konference për media i pyetur rreth masave që ka propozuar Serbia për Kosovën ka folur edhe kryetari i kuvendit Glauk Konjufca i cili tha se kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe diçka që nuk ekziston më.

Sipas tij, konferenca të tilla nuk i bëjnë përshtypje.

“Tash Vuçiqi po tenton t’i ruaj ato, me i ruajt ato që nuk i ka më edhe faktikisht po kërcënon Republikën e Kosovës përmes konferencës së tij për shtyp, mirëpo ky është një kërcenim i cili me thënë të drejtën nuk na bën shumë përshtypje”.

Kryekuvendari u shpreh se nuk shqetësohet për masat e marra pasi siç thotë në pjesën e veriut janë institucionet e Kosovës, të sigurisë e ato politike.

“Ne nuk frikësohemi, nuk shqetësohemi sepse në atë pjesë të vendit janë institucionet e Kosovës, janë institucionet e sigurisë, janë institucionet politike, janë komunat që funksionojnë edhe është shansa e humbur e qytetarëve që kanë mendime të tjera për me marr pjesë në procesin politik edhe me dashtë me qenë bashkëpjesëmarrës në procesin politik. Pas kësaj që ka ndodhur, vendi e ka marrë një drejtim të ri”, u shpreh Konjufca.

Sipas tij procesi i largimit të strukturave paralele ka qenë i domosdoshëm për konsolidimin e kushtetutshmërisë dhe shtetësisë së Kosovës dhe sovranitetit në veri.

“Të gjitha që i bëri janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe diçka e cila nuk ekziston më. Pra strukturat paralele tash gradualisht janë hequr prej Kosovës, po vazhdon të hiqen edhe sot e kësaj dite kur po flasim, mirëpo ajo substanca e tyre tashmë është hequr, kanë mbetur edhe disa të tjera, mirëpo në vazhdimësi nuk kemi pse të ngutemi shumë, është në rrugë të mbarë ky proces edhe ky proces ka qenë i domosdoshëm për konsolidimin e kushtetutshmërisë dhe të shtetësisë së Kosovës. Ky është drejtimi ynë”, ka deklaruar Konjufca. /Lajmi.net/