Konjufca nga Haga: Askush nuk mund të shkelë mbi UÇK-në
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ka arritur në Hagë, ku nesër pritet të marrë pjesë në seancën gjyqësore në të cilën do të paraqiten fjalët përfundimtare në procesin kundër ish-drejtuesve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Gjatë qëndrimit në Holandë, Konjufca mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Kosovës me…
Lajme
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ka arritur në Hagë, ku nesër pritet të marrë pjesë në seancën gjyqësore në të cilën do të paraqiten fjalët përfundimtare në procesin kundër ish-drejtuesve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Holandë, Konjufca mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Kosovës me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë, ku mbajti edhe një fjalim para bashkatdhetarëve, transmeton lajmi.net.
Duke folur për procesin gjyqësor në Hagë, ai e cilësoi atë si të padrejtë dhe theksoi se pjesëmarrja e tij synon të shprehë qëndrimin institucional të Kosovës.
“Nesër do të marrë pjesë po ashtu edhe në procesin e padrejtë gjyqësor që po bëhet kundër drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për ta shprehur po ashtu edhe vullnetin tonë edhe qëndrimin tonë se askush nuk mund të shkelë mbi ushtrinë tonë të lavdishme çlirimtare dhe për t’i treguar gjithë botës së bashku se kjo është vlera më sublime që e ka krijuar shtetin tonë, Kosovën dhe që këtë vlerë e cila është në themel të shtetit tonë do ta mbrojë me çdo kusht dhe me çdo çmim”, deklaroi Konjufca.
Ai shtoi se ish-krerët e UÇK-së po përballen me një gjykim të padrejtë në Hagë.
“Ata familjarë, të afërm të drejtuesve tanë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët padrejtësisht po gjykohen këtu në Hagë, më vjen mirë që jemi sot bashkë këtu edhe po e shënojmë përvjetorin e pavarësisë së shtetit tonë, është një datë që na forcon dhe një datë që na nderon secilin prej nesh, prandaj festofshim gjithmonë bashkë”, tha ai.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme në Kosovë u mbajt një marsh në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët po gjykohen në Hagë./lajmi.net/