Kongresisti Torres për Banjskën: Kërkojmë që autorët të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre brenda Kosovës

Kongresisti Ritchie Torres, njëherësh bashkëkryesues i Grupit për Çështjet Shqiptare në Kongresin amerikan, ka folur për rastin e Banjskës. Në një shkrim në Twitter, Torres kërkoi që autorët e sulmit të mbajnë përgjegjësi. “Sot janë bërë një vit nga sulmi terrorist në Banjska të Kosovës. E nderojmë sakrificën e policit Afrim Bunjaku në mbrojtjen e…

Lajme

24/09/2024 23:31

Kongresisti Ritchie Torres, njëherësh bashkëkryesues i Grupit për Çështjet Shqiptare në Kongresin amerikan, ka folur për rastin e Banjskës.

Në një shkrim në Twitter, Torres kërkoi që autorët e sulmit të mbajnë përgjegjësi.

“Sot janë bërë një vit nga sulmi terrorist në Banjska të Kosovës. E nderojmë sakrificën e policit Afrim Bunjaku në mbrojtjen e popullit gjatë këtij sulmi dhe kërkojmë që autorët të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre brenda Kosovës”, shkroi Torres.

Më herët gjatë ditës pati edhe reagime të tjera.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, bëri homazhe te varri i Bunjakut në Vushtrri më 24 shtator.

“Sot iu bashkova Qeverisë së Kosovës dhe kolegëve të mi diplomatikë për ta nderuar kujtimin e oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në detyrë në sulmin e Banjskës, një vit më parë. Shtetet e Bashkuara përsërisin thirrjet dhe presin që kryerësit dhe të gjithë të përfshirët në këtë krim të tmerrshëm të mbahen përgjegjës”, shkroi Hovenier në X.

Ndërkaq, BE-ja tha se pret nga Serbia të ndërmarrë hapa të nevojshëm për t’u siguruar që të dyshuarit për kryerjen e sulmit vdekjeprurës në Banjskë të japin llogari.

Kosova e ka cilësuar sulmin si terrorist dhe e akuzon shtetin e Serbisë se ka gisht në të. Serbia i ka mohuar akuzat.

Në fillim të këtij muaji, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave për këtë sulm.