Konfirmohet: Kurti sonte do të darkojë me zyrtarin amerikan, David Baker
Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Mbrojtjes për Politika Evropiane dhe NATO, David Baker, ndodhet sot për vizitë zyrtare në Kosovë, ku do të zhvillojë takime me udhëheqësit më të lartë institucionalë të vendit. Gjatë qëndrimit të tij, Baker pritet të takohet në një darkë pune me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup…

Lajme
Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Mbrojtjes për Politika Evropiane dhe NATO, David Baker, ndodhet sot për vizitë zyrtare në Kosovë, ku do të zhvillojë takime me udhëheqësit më të lartë institucionalë të vendit.
Gjatë qëndrimit të tij, Baker pritet të takohet në një darkë pune me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, për tëvë1, transmeton lajmi.net
“Kryeministri Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, do ta takojë sonte Zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Mbrojtjes për Politika Evropiane dhe NATO, David Baker, në një darkë pune të shtruar nga ministri Maqedonci,” deklaroi Kryeziu.
Më herët gjatë ditës, zyrtari amerikan u takua edhe me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Pas takimit, Presidentja theksoi rëndësinë e partneritetit me SHBA-në, duke deklaruar se Kosova është më e fortë kur SHBA-të qëndrojnë krah saj, dhe se ky partneritet garanton siguri dhe zhvillim për vendin.
Baker është takuar sot edhe me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Enrico Barduani.
Ata kanë biseduar për situatën e sigurisë në Kosovë, si dhe për mundësinë më të mirë të mbështetjes së angazhimit politik në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Baker e ka rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur amerikane për misionin e KFOR-it në Kosovë” është thënë në komunikatën e KFOR-it në Facebook./lajmi.net/