Konfirmohen dy raste të “Gjuhës së Kaltër” në Kosovë – vendosen masa kufizuese në gjithë territorin
Pas raportimeve të para për raste të dyshuara me sëmundjen virale “Gjuha e Kaltër”, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konfirmuar përmes analizave laboratorike prezencën e kësaj sëmundjeje në dy ferma – një në fshatin Marec të komunës së Prishtinës dhe tjetra në fshatin Brus, komuna e Lipjanit. Për të parandaluar përhapjen e mëtejme…

Lajme
Pas raportimeve të para për raste të dyshuara me sëmundjen virale “Gjuha e Kaltër”, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konfirmuar përmes analizave laboratorike prezencën e kësaj sëmundjeje në dy ferma – një në fshatin Marec të komunës së Prishtinës dhe tjetra në fshatin Brus, komuna e Lipjanit.
Për të parandaluar përhapjen e mëtejme të sëmundjes, AUV ka vendosur masa të përgjithshme kufizuese për lëvizjen e kafshëve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Vendimi i nxjerrë më 29 korrik 2025 parasheh ndalim të plotë të lëvizjes së kafshëve nga fermat, si dhe tregtimin dhe shitblerjen e tyre në tregje.
Sipas këtij vendimi:
Fermat ku është konfirmuar sëmundja do të izolohen tërësisht dhe do të konsiderohen si të infektuara.
Fermerët janë të obliguar të njoftojnë menjëherë për çdo ndryshim në gjendjen shëndetësore të kafshëve.
Duhet të aktivizohen masa të biosigurisë, përfshirë përdorimin e insekticideve për eliminimin e mushkonjave (vektorë kryesorë të përhapjes).
Do të përcaktohen lokacione për groposjen e kafshëve të ngordhura.
Gjithashtu, të gjithë menaxherët e tregjeve janë urdhëruar të pezullojnë aktivitetin, ndërsa Policia e Kosovës, autoritetet komunale dhe inspektorët veterinarë janë të obliguar të ndihmojnë në mbikëqyrjen e zbatimit të masave.
Sëmundja “Gjuha e Kaltër” është një sëmundje virale që prek ruminantët shtëpiak – veçanërisht delet, dhitë dhe gjedhin. Ajo nuk është ngjitëse nga kafsha te njeriu dhe as nga kafsha te kafsha; përhapet vetëm përmes pickimit të insekteve të llojit Culicoides (mushkonja).
Përjashtimisht, do të lejohet lëvizja e kafshëve nga fermat e lira drejt thertoreve të licencuara, por vetëm me miratim paraprak nga inspektorët veterinarë të AUV-së.
AUV thotë se do të vazhdojë me hulumtimet epidemiologjike, marrjen e mostrave dhe analizat laboratorike, ndërsa masat mbesin në fuqi deri në një vendim të ri.