Konferencë për detaje që i bën të ditura mediat fillimisht| Gërvalla dhe Sveçla “mjaftohen” me “hetimet” që po bëhen, nuk dorëhiqen

Arlinda Zekaj është gruaja e cila u vra mizorisht nga kunati i saj, Albert Sylaj, më 25 tetor në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës. Arlinda u vra pas një numri të madh raportimesh që bëri në institucionet përkatëse mbi dhunën, shantazhin e kërcënimet me vdekje që i bëheshin nga ish-bashkëshorti, nga kunati e…

Lajme

30/10/2026 10:54

Arlinda Zekaj është gruaja e cila u vra mizorisht nga kunati i saj, Albert Sylaj, më 25 tetor në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës.

Arlinda u vra pas një numri të madh raportimesh që bëri në institucionet përkatëse mbi dhunën, shantazhin e kërcënimet me vdekje që i bëheshin nga ish-bashkëshorti, nga kunati e familjarë të tjerë.

Por krejt thirrjet e Arlinda Zekaj për ndihmë e ofrim të sigurisë nuk morën përgjigje- derisa ajo vdiq.

Por Arlinda Zekaj ishte përkujdesur që të dëshmonte gjithçka, çdo dështim komandues e institucionale në rastin e saj dhe se si të njëjtit në vakt e çuan drejt vrasjes mizore.

E lidhur me këtë rast, ministrja Donika Gërvalla si ministre e drejtësisë dhe koordinatore kundër dhunës në familje, dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla njoftuan se s’do të ketë dorëheqje.

Madje të dy po konsiderojnë ngritjen e kapaciteteve në këto raste, në mënyrë që sipas tyre “tu dalin në ndihmë grave”.

Hipokrizia e treguar në këtë rast është se asnjëri, as tjetri nuk u mjaftuan me gjithë këtë dështim që të hiqnin dorë nga postet ministrore e të jepnin sot dorëheqje, transmeton lajmi.net.

Madje ata deklaruan gjëra që veçse mediat i bën të ditura prej disa ditësh duke treguar detaje se si zinxhirët institucional neglizhuan rastin dhe nuk reaguan në asnjë moment.

Në vazhdimësi qytetarët përmes protestave kanë kërkuar dorëheqjen e dyshes, por siç duket për ta s’do ketë as shkarkim as dorëheqje.

Donika Gërvalla, ka deklaruar se institucionet përgjegjëse kishin marrë paralajmërime të përsëritura dhe serioze për rrezikun që i kanosej Arlinda Zekajt, para se ajo të vritej më 25 tetor.Në një konferencë për media, ku prezantoi raportin për veprimet dhe mosveprimet institucionale në këtë rast, Gërvalla ka thënë se dokumentacioni i shqyrtuar deri më tani ka nxjerrë në pah mangësi serioze, vonesa dhe mosveprime të institucioneve.“Raporti mbështetet në dokumentacionin e siguruar nga institucionet përgjegjëse dhe analizon veprimet, por edhe mosveprimet e tyre, nga raportimi i parë i Arlinda Zekajt më 10 korrik e deri te vrasja e saj më 25 tetor. Raporti është vetëm pjesërisht i plotë, sepse Zyra e Koordinatores nuk ka marrë përgjigje të detajuara nga të gjitha institucionet përgjegjëse. Prej disa prej tyre madje nuk kemi marrë asnjë përgjigje deri tash. Për disa çështje, presim ende dokumentacion dhe sqarime shtesë. Megjithatë, dokumentacioni i shqyrtuar deri tani nxjerr në pah mangësi serioze: vonesa dhe mosveprime institucionale. Konstatimi më shqetësues është se Arlinda Zekaj nuk u vra pa paralajmërim. Institucionet përgjegjëse kishin marrë paralajmërime të përsëritura dhe serioze për rrezikun ndaj jetës së saj”, ka deklaruar Gërvalla.

Duke paraqitur kronologjinë e rastit, ministrja ka treguar se më 10 korrik 2026, Arlinda Zekaj kishte raportuar në Policinë e Kosovës dhunën fizike dhe psikologjike nga bashkëshorti i saj.

Sipas Gërvallës, ajo kishte raportuar kërcënimet, kishte dorëzuar prova për veprimet e dhunshme dhe e kishte informuar policinë se bashkëshorti posedonte armë me leje.“Një tjetër shqetësim i vazhdueshëm ishte pamundësia për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët dhe për të pasur kontakt të rregullt me djalin e saj 12-vjeçar. Megjithëse bashkëpronare e shtëpisë, ajo raportonte se bashkëshorti, por edhe familjarë të bashkëshortit, të cilët qëndronin aty kundër vullnetit të saj, e pengonin të hynte në pronën e saj. Më 7 shtator, Arlinda Zekaj kërkoi urdhërmbrojtje emergjente nga Gjykata Themelore në Pejë. Po atë ditë, ajo i shkroi gjykatës se kishte frikë për jetën e saj dhe të fëmijës së saj. Pra, rreziku ishte raportuar shprehimisht dhe ishte i dokumentuar”, ka thënë ministrja.Duke folur për përgjegjësinë e Gjykatës Themelore në Pejë, Gërvalla ka thënë se raporti ka evidentuar shkelje të afateve ligjore gjatë trajtimit të kërkesës për urdhërmbrojtje emergjente.“Më 7 shtator, gjykata miratoi pjesërisht kërkesën për mbrojtje emergjente. Më 9 shtator, pra dy ditë më vonë, Arlinda Zekaj e kundërshtoi këtë vendim, sepse ai nuk përfshinte edhe kujdesin për djalin e saj”, ka deklaruar Gërvalla.

E pyetur lidhur me kërkesat për dorëheqjen e saj pas vrasjes së Zekajt, Gërvalla ka thënë se, nëse do të besonte se largimi i saj nga detyra do të kontribuonte në zbardhjen e përgjegjësive, do ta kishte ndërmarrë një hap të tillë.Ajo ka kërkuar që t’i lejohet të vazhdojë punën, duke pretenduar se viktimat e dhunës në familje e kanë aleaten më të fuqishme te koordinatorja kombëtare.

“Po të konsideroja që dorëheqja do të ishte mekanizmi për të cilin do të kontribuonim për një identifikim më të saktë më të shpejtë dhe më të thellë të përgjegjësive për veprim dhe mosveprim, unë do kisha dhënë dorëheqje. Unë mendoj që pikërisht e kundërta është. Qytetari i Republikës së Kosovës e dijnë që unë gjithë jetën time politike jam në anën e viktimave, me një kosto të lartë publike. Unë ju siguroj që viktimat e dhunës në familje aleatin më të fuqishëm sot e kanë te koordinatorja kombëtare. Na lejoni të bëjmë punën tonë, na lejoni që të kujdesemi që të vihen në pah të identifikohen dhe të adresohen përgjegjësitë dhe atëherë e diskutojmë përsëri çështjen e dorëheqjeve”, tha ajo.

Kurse Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se 11 zyrtarë policorë janë suspenduar pas gjetjeve të raportit për veprimet dhe mosveprimet e Policisë së Kosovës në rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor.Sveçla ka thënë se përmes Inspektoratit Policor të Kosovës janë verifikuar të gjitha veprimet dhe mosveprimet e Policisë së Kosovës, ndërsa raportin për këtë rast ia ka dorëzuar një ditë më parë kryeministrit Albin Kurti.

Sipas tij, verifikimet e realizuara gjatë 72 orëve të fundit kanë konfirmuar shqetësimet e ngritura më herët, duke evidentuar dështime në trajtimin e raportimeve dhe në përmbushjen e përgjegjësive institucionale për mbrojtjen e jetës së Zekajt.

“Përmes Inspektoratit Policor të Kosovës, ne këto ditë kemi verifikuar të gjitha veprimet dhe mosveprimet e Policisë së Kosovës. Këto 72 orë kanë qartësuar dhe konfirmuar shqetësimet që kemi ngritur, duke nxjerrë në pah dështime në trajtimin e raportimeve dhe në përmbushjen e përgjegjësive institucionale për mbrojtjen e jetës së saj. Raportin mbi veprimet e ndërmarra nga Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës ia kam dorëzuar dje kryeministrit Kurti”, ka deklaruar Sveçla.Ai ka bërë të ditur se në mesin e 11 zyrtarëve të suspenduar janë drejtori rajonal i Policisë në Pejë, shefi i hetimeve rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i stacionit policor në Pejë, si dhe zyrtarë të tjerë me pozita drejtuese dhe hetues në këtë stacion.

“Bazuar në gjetjet e evidentuara deri në këtë fazë, dje janë suspenduar 11 zyrtarë policorë, përfshirë drejtorin rajonal të Policisë në Pejë, shefin e hetimeve rajonale në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, komandantin e stacionit policor në Pejë, zëvendëskomandantin e stacionit policor në Pejë, shefin e sektorit të hetimeve në stacionin policor në Pejë, shefin e sektorit të operativës në stacionin policor në Pejë, komandantin e nënstacionit policor në Vitomiricë dhe katër hetues të stacionit policor në Pejë”, ka thënë ministri.Sipas Sveçlës, gjetjet e raportit, të cilat pritet të trajtohen dhe vlerësohen edhe nga prokuroria, evidentojnë shkelje serioze nga disa zyrtarë policorë dhe pjesëtarë të zinxhirit komandues në Pejë.Ai ka specifikuar se ndër shkeljet e identifikuara janë moszbatimi i urdhrit të parë për mbrojtje, vonesat në ekzekutimin e urdhrit të dytë, mosmarrja parasysh e kërkesës për rivlerësimin e rrezikut dhe mosndërmarrja e masave të nevojshme për shtimin e kapaciteteve policore për garantimin e sigurisë së Arlindës.

“Ndër shkeljet e identifikuara përfshihen: mosekzekutimi i urdhrit të parë për mbrojtje, vonesa në ekzekutimin e urdhrit të dytë për mbrojtje, mospërfillja e kërkesës për rivlerësimin e rrezikut dhe mosndërmarrja e masave të nevojshme për ngritjen e kapaciteteve policore në funksion të garantimit të sigurisë së Arlindës. Këto janë ndër shkeljet më serioze të evidentuara deri në këtë fazë, ndërsa hetimet e mëtejshme mund të nxjerrin në pah edhe fakte dhe përgjegjësi të tjera”, ka deklaruar ai.Ministri ka theksuar se suspendimi i zyrtarëve nuk duhet të konsiderohet përfundim i procesit, duke kërkuar hetim të plotë dhe përcaktim të përgjegjësisë ligjore për të gjithë ata që kanë neglizhuar raportimet dhe paralajmërimet e viktimës.“Dua të bëj të qartë se asnjë suspendim nuk mund të konsiderohet i mjaftueshëm pa një hetim të plotë dhe të mirëfilltë, si dhe pa përcaktimin e përgjegjësisë para ligjit për çdo neglizhencë, për çdo raportim që nuk u mor seriozisht dhe për çdo paralajmërim që Arlinda bëri për rrezikun e jetës së saj, por që nuk mori reagimin e duhur institucional”, ka thënë Sveçla.

Xhelal Sveçla, ka deklaruar se nuk e sheh dorëheqjen e tij si zgjidhje pas vrasjes së Arlinda Zekajt..Duke folur në konferencën për media, Sveçla ka rikujtuar se para dhjetë vjetësh kishte dhënë dorëheqje nga një pozitë që mbante, ndonëse, siç tha, nuk kishte përgjegjësi për rastin e atëhershëm.

“Para 10 vitesh kam dhënë dorëheqje nga pozita… pa pasë kurrfarë përgjegjësie për rastin e atëhershëm, duke menduar se dorëheqja ime do të kontribuonte në përmirësimin e praktikave në atë fushë, tash unë nuk mendoj se dorëheqja jonë do të kontribuonte në fuqizimin e gruas, në të drejtat e saj se ne jemi të angazhuar qind për qind në atë pikë. Jam me protestuesit, e kuptoj indinjatën dhe mllefin e protestuesve.”/Lajmi.net/