Komuna e Shtimes shpall gjendje emergjente pas reshjeve të dendura të shiut

Komuna e Shtimes ka shpallur gjendje emergjente në të gjithë territorin e kësaj komune, pas reshjeve të pandërprera dhe të dendura të shiut. Këtë lajm e ka dhënë kryetari i kësaj komune, Qemajl Aliu.   “Të nderuar qytetarë, reshjet e pandërprera të ditëve të fundit kanë shkaktuar vështirësi serioze në disa zona të komunës. Duke…

Lajme

18/11/2025 23:42

Komuna e Shtimes ka shpallur gjendje emergjente në të gjithë territorin e kësaj komune, pas reshjeve të pandërprera dhe të dendura të shiut.

Këtë lajm e ka dhënë kryetari i kësaj komune, Qemajl Aliu.

 

“Të nderuar qytetarë, reshjet e pandërprera të ditëve të fundit kanë shkaktuar vështirësi serioze në disa zona të komunës. Duke u bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë tona institucionale, kam marrë vendimin që në gjithë territorin e Komunës së Shtimes të shpallim gjendje emergjente, me qëllim që të reagojmë me efikasitet dhe të mbrojmë sigurinë e të gjithëve”, tha kryetari Aliu.

Nga Komuna e Shtimes kanë njoftuar se gjatë ditës së nesërme pritet të mblidhet sërish Shtabi Emergjent, i cili tashmë gjendet në terren dhe po zhvillon veprimet e nevojshme për menaxhimin e situatës.

“Nga orët e hershme të mëngjesit, të gjitha drejtoritë komunale me njësitë dhe shërbimet vartëse, si dhe me mbështetjen e Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Policisë, janë angazhuar maksimalisht për ta mbajtur situatën nën kontroll. Në disa fshatra gjendja paraqitet më e rënduar, por ekipet dhe shërbimet komunale me makineri të specializuar janë duke ndërhyrë me kujdes për trajtimin e dëmeve të shkaktuara dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve. Komuna e Shtimes u bën thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin njoftimet zyrtare deri në normalizimin e plotë të situatës”, thuhet në këtë njoftim. /Lajmi.net/