Komuna e Prizrenit ka lidhur kontratë të kundërligjshme, çmimi edhe njëherë më i lartë se i tenderit fitues
Komuna e Prizrenit që udhëhiqet nga kryetari Mytaher Haskuka para pak ditëve ka lidhur një kontratë të kundërligjshme për projektin “Mbikëqyrja e punimeve konform kontratave të DSHP-së në Komunën e Prizrenit”. Kontrata është me zbatushmëri për një vit.
Lajme
Komuna e Prizrenit ka lidhur kontratë edhe një herë më të madhe se sa kishte ofertuar kompania “Bek ing” për projektin Mbikëqyrja e punimeve.
Lajmi.net ka zbuluar se kjo kompani është shpallur fitues nga Komuna për këtë projekte me çmimin për njësi në vlerë prej 0.33 euro (tridhjetë e tre cent), por kontrata është nënshkruar me të me çmimin për njësi 0.77 euro (shtatëdhjetë e shtatë cent).
Madje, sipas Ligjit të Prokurimit, kompania që ishte shpallur fituese ka qenë e pa përgjegjshme, pasi kishte ofertuar me çmim prej 33 eurove (tridhjetë e tri euro), por që më pas kundërligjshëm ishte korrigjuar çmimi.
Më datën 11.09.2020, AK-Komuna e Prizrenit ka bërë “njoftim mbi vendimin e autoritetit kontraktues”, ku për mes këtij njoftimi ka bërë publike fituesin, si dhe arsyet e eliminimit të kompanive garuese.
Në arsyetimin e fituesit ka shkruar se “Juve ju është dhënë kontrata me çmimin e saktësuar në tenderin tuaj [OPCIONI: pas korrigjimit të gabimeve aritmetikore-me shumën prej me çmimin e ofruar prej; 0.33 euro dhe në pajtim me afatet dhe kushtet e dosjes së tenderit”.


Edhe në “njoftimin për dhënie të kontratës” shihet që kontrata ishte planifikuar të nënshkruhej në vlerë prej 0.33 euro, aq sa supozohej që ishte edhe oferta.

Autoriteti Kontraktues –Komuna e Prizrenit me datë 18.09.2020 ka nënshkruar kontratë me kompaninë NNP “Bek Ing”. Firmat në kontratë i kanë venë, Isa Osmankaj, në emër te Autoritetit Kontraktues dhe Bekim Bytyqi në emër te kompanisë fituese. Aty thuhet se kontrata në mes palëve është lidhur me çmimin për njësi në vlerë prej 0.77 cent.


Lajmi.net ka kërkuar një përgjigje nga Komuna e Prizrenit lidhur më atë se si ka ndodhur që kompania të shpallet fitues me çmim prej 0.33 centë, ndërsa kontrata të lidhet më të me çmim prej 0.77 centë. Komuna nuk ka dashur të përgjigjet.
Kompania nuk i ka plotësuar kushtet e Ligjit të Prokurimit Publik për këtë tender. Konkretisht, kompania në procesverbalin e hapjes ka ofertuar me çmim 33 euro, ndërsa në paramasë dhe parallogaritë ka ofertuar me çmim 0.33 euro. Kompania, kishte thënë se ka bërë gabim aritmetik dhe komuna e kishte marrë si të mirëqenë këtë, ani pse Ligji i Prokurimit gabimet aritmetike i lë të korrigjohen plus ose minus 2 për qind të vlerës së ofertës. Fillimisht, Komuna kishte shpallur të papërgjegjshme të gjitha ofertat. Ofertën e “Bek Ing” e kishte shpallur të papërgjegjshme dy herë me arsyetimin se “dallimi në mes të çmimit 0.33 euro dhe 33 euro është shumë shumë i madh, andaj edhe AK nuk ka mund ta marrë si çmim të rregullt asnjërin çmim të ofruar nga ana juaj”. /Mentor Buzhala -Lajmi.net/
https://lajmi.net/nese-nuk-behet-ankese-me-kohe-oshp-ja-lejon-te-lidhen-kontrata-te-kunderligjshme-prizreni-e-beri-nje-te-tille/?fbclid=IwAR2Nm2cQumn-P7MNAJXBnsJT5M3BJCfCQauHvgnoeBBdRAbA6hKAUsPqA0U