Kompania franceze fiton ankandin për parkun e erës në Kosovë, investimi kap vlerën e 150 milionë eurove

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se kompania franceze “AKUO Energy SAS” është shpallur fituese e ankandit të Ministrisë së Ekonomisë për prodhimin e energjisë nga era, me kapacitet prej 98 megavatësh (MW). Përmes një postimi, Kurti ka njoftuar se çmimi i ofruar nga kompania është 75.94 euro për megavat-orë (MWh), ndërsa…

Lajme

26/11/2026 22:23

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se kompania franceze “AKUO Energy SAS” është shpallur fituese e ankandit të Ministrisë së Ekonomisë për prodhimin e energjisë nga era, me kapacitet prej 98 megavatësh (MW).

Përmes një postimi, Kurti ka njoftuar se çmimi i ofruar nga kompania është 75.94 euro për megavat-orë (MWh), ndërsa investimi i paraparë për realizimin e projektit arrin në rreth 150 milionë euro, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, ky projekt i ri i shtohet investimeve të tjera në sektorin e energjisë së ripërtëritshme, përfshirë parkun e erës me kapacitet 70 MW në Zatriq dhe parkun solar prej 105 MW në Kramovik/Guri i Kuq, për ndërtimin e të cilit kanë filluar punimet.

Kurti ka vlerësuar se rritja e kapaciteteve vendore të prodhimit të energjisë do të ndikojë në uljen e varësisë së Kosovës nga importi.

“Më shumë prodhim vendor me çmim të favorshëm për qytetarët do të thotë më pak varësi nga importi”, ka shkruar Kurti.

Ai ka uruar kompaninë fituese dhe ka falënderuar ekipin e Ministrisë së Ekonomisë për përmbylljen e procesit, duke veçuar edhe bashkëpunimin me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), e cila ka shërbyer si këshilltare e transaksionit.

Kryeministri e ka cilësuar ankandin si një proces konkurrues dhe transparent, që synon zgjerimin e kapaciteteve të Kosovës për prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme.

Postimi i plotë:
Kompania franceze AKUO Energy SAS është shpallur fituese e ankandit të Ministrisë së Ekonomisë për energji nga era, me një kapacitet prej 98 MW dhe çmim të favorshëm prej 75.94 euro/MWh.
Ky projekt do të sjellë rreth 150 milionë euro investime në vendin tonë.
Pas përfundimit të parkut të erës 70 MW në Zatriq dhe fillimit të ndërtimit të parkut solar 105 MW në Kramovik/Guri i Kuq, tani po mbyllet kontrata për edhe 98 MW nga era. Më shumë prodhim vendor me çmim të favorshëm për qytetarët do të thotë më pak varësi nga importi.
Urime për Akuo Energy SAS, dhe falemnderit ekipit të Ministrisë së Ekonomisë që, me IFC si këshilltar transaksioni, udhëhoqën me sukses edhe një proces konkurrues e transparent për ndërtimin e kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme./lajmi.net/