Komuna e Prishtinës vendim të jashtëligjshëm për lokacionin e shtatores së Ismail Qemalit
Komuna e Prishtinës e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, e ka dëshmuar edhe me rastin e vendosjes së shtatoret së Ismail Qemalit në Prishtinë, se nuk respekton institucionet e shtetit të Kosovës.

Lajme
Lajmi.net ka mësuar se përveç se nuk e ka përfshirë kryeministrin Isa Mustafa në mesin e personaliteteve që do të flasin gjatë ceremonisë së vendosjes së kësaj shtatore, komuna e drejtuar nga Shpend Ahmeti, nuk i ka marrë fare leje Qeverisë së Mustafës kur ka caktuar lokacionin.
Lokacioni në Prishtinë, ku do të vendoset shtatorja e personalitetit i cili shpalli pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë, është pronë e qeverisë së Kosovës, dhe për këtë Komuna e Prishtinës, para se të vendoste për të, do të duhej të merrte aprovimin e Qeverisë.
Burime të lajmi.net, kanë bërë të ditur se Qeveria nuk ka dashur që të kundërshtojë vendimin e Komunës së Prishtinës për këtë rast, pasi bëhej fjalë për një figurë të rëndësishme të historisë shqiptare, siç është ajo e Ismail Qemalit.
Por, në Qeveri përveç kësaj, vendimin e paligjshëm të Komunës e kanë parë edhe si tendencë politike, përmes të cilës lidershipi i Vetëvendosjes ka dashur që të nxis reagimin e Qeverisë, i cili më pas në opinion do të paraqitej, si reagim kundër vendosjes së shtatores së Ismail Qemalit në oborrin e qeverisë së Kosovës, e jo kundër vendimit të jashtëligjshëm.
Kjo edhe për faktin, se Komuna e Prishtinës ka qenë e vetëdijshme se edhe po të respektonte ligjin, e të kërkonte miratimin edhe të Qeverisë për vendosjen e kësaj shtatoreje në atë lokacion, ai do të ishte aprovues.
Shtatorja e Ismail Qemalit është vendosur sot në oborrin e objektit të Qeverisë (ish Rilindja), ndërsa inaugurimi i saj do të bëhet nesër, ku do të merr pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. (lajmi.net)