Komuna e Prishtinës tregon çka ka ndërmarrë për zgjidhjen e problemit të qenve endacak

Komuna e Prishtinës ju njofton se me nënshkrimin e kontratës emergjente, me datë 18 janar 2022, për trajtimin e qenve endacak për vitin 2022, ka filluar zbatimi i kontratës që nga fillimi i kësaj jave, me ç ‘rast është trajtuar një numër i konsiderueshëm i qenve endacak të koncentruar në apo përreth Parkut te Gërmisë. 

Lajme

26/01/2022 12:40

Kontrata siguron vazhdimin e trajtimit të tyre, përfshirë kapjen, sterilizimin vaksinimin dhe lëshimin (metoda KSVL), por edhe kontrollin, ushqimin, identifikimin dhe hospitalizimin e qenve. Gjithashtu, është marr vendimi që nga numri ekzistues prej pesë pikave ushqyese, në afat prej 7 ditëve të rritet numri në njëzetë e tri pika, me mundësi zgjerimi, gjithherë bazuar në nevojat konkrete.Duhet theksuar se Komuna e Prishtinës në krye me Kryetarin Rama, ka filluar koordinimin me të gjitha  palët e interesuara, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare, për te filluar procesin e zgjidhjes përfundimtare. Është zhvilluar një strategji e brendshme, e cila do të diskutohet me akterët institucional po ashtu edhe me organizatat joqeveritare dhe individët e organizatat profesionale, në mënyrë që strategjia  të jetë e pranueshme për të gjithë.Janë iniciuar procedurat e hapjes se një Qendre për trajtimin e qenve. Kjo qendër do të ofrojë shërbime për trajtimin jo vetëm të qenve endacak, por gjithashtu edhe kujdesin, trajnimin, socializimin e qenve me pronar. Janë zhvilluar takime  me nivelin qendror të qeverisjes në mënyrë që aspektet koordinuese me këtë nivel të thellohen, pasi qe ky koordinim dhe bashkëpunim është i domosdoshëm në mënyrë qe strategjia dhe qasja ndaj qenve endacak te rezultoi e suksesshme, në veçanti sa i përket projektit të regjistrimit me vathë e mikroçipa të qenve, por edhe kontrollit te mbarështimit, riprodhimit, si dhe organizimit të fushatave për vetëdijesim.

Gjithashtu, ju njoftojmë se të premten, me datë 28 janar, duke filluar nga ora 09:30, Komuna e Prishtinës organizon tryezë të rrumbullakët me përfaqësuesit e BE-së, organizata joqeveritare, si dhe akterë të tjerë profesional të fushës mbi strategjinë kornizë për trajtimin e qenve endacak.