Komuna e Prishtinës thotë se pagesat e mbeturinave duhet të kryen në komunë, vjen reagimi nga KRM ‘’Pastrimi’’
Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët se pagesat për shërbimet e pastrimit duhet të bëhen vetëm në zyrat e Komunës dhe jo te kompania “Pastrimi”. Mirëpo me këtë nuk po pajtohen nga Kompania KRM’’Pastrimi’’. Sipas tyre në këtë çështje duhet të ndërhyjë Prokuroria e Shtetit. ‘’Kërkojmë ndërhyrjen e Prokurorit të Shtetit dhe organeve hetimore lidhur…

Lajme
Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët se pagesat për shërbimet e pastrimit duhet të bëhen vetëm në zyrat e Komunës dhe jo te kompania “Pastrimi”.
Mirëpo me këtë nuk po pajtohen nga Kompania KRM’’Pastrimi’’.
Sipas tyre në këtë çështje duhet të ndërhyjë Prokuroria e Shtetit.
‘’Kërkojmë ndërhyrjen e Prokurorit të Shtetit dhe organeve hetimore lidhur me veprimet e jashtëligjshme të Komunës së Prishtinës.KRM “Pastrimi” sh.a. shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me veprimet e fundit të Përparim Ramës dhe Bekim Brestovcit, të cilët, në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë bazë ligjore, po njoftojnë qytetarët që pagesat për shërbimet e pastrimit duhet të bëhen në Komunë dhe jo pranë ndërmarrjes sonë, ashtu siç përcaktohet qartë në Rregullorenpër Menaxhimin e Mbeturinave, e miratuar nga vetë Kuvendi Komunal.Ky veprim është në kundërshtim të plotë me rregulloren në fuqi dhe me kompetencat tona ligjore si ndërmarrje publike e licencuar për ofrimin dhe faturimin e shërbimeve të pastrimit në kryeqytet’’ thuhet në reagim.
Më tutje në reagim thuhet se përkundër përpjekjeve tona për të mbrojtur rendin institucional dhe për të bashkëpunuar, Komuna po vazhdon me vendime të njëanshme që rrezikojnë jo vetëm funksionimin financiar të ndërmarrjes, por edhe cilësinë dhe vazhdimësinë e shërbimeve publike —dhe mbi të gjitha, po dëmtojnë drejtpërdrejt qytetarin.
‘’Për këtë arsye, i drejtohemi Prokurorit të Shtetit dhe institucioneve hetimore që të ndërhyjnë urgjentisht për të ndalur këtë praktikë të paligjshme dhe për të rivendosur rendin ligjor dhe funksional në raportin ndërmjet Komunës dhe ndërmarrjes sonë.Ekzistojnë dyshime serioze se po tentohet të pamundësohet operimi i KRM “Pastrimi”sh.a., për t’i hapur rrugë tenderimeve të jashtëligjshme me operatorë privatë, me vlerë mbi 20 milionë euro’’ thuhet në reagim.
KRM “Pastrimi” sh.a. do të vazhdojë të kryejë me përkushtim detyrën e saj për ofrimin e shërbimeve cilësore ndaj qytetarëve dhe për mbrojtjen e ligjshmërisë në çdo rrethanë, ftojmë qytetarët të jenë krahu dhe mbështetja jonë në këtë situatë, sepse Komuna ka humbur kontrollin, duke devijuar nga çdo rrugë e përcaktuar ligjore, thuhet në fund të reagimit.