Komuna e Prishtinës, dy tenderë 100 mijë euro për militantët e Vetëvendosjes (Foto)

Dy militantë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë marrë punë në vlerë prej 100 mijë eurosh në Komunën e cila udhëhiqet nga Shpend Ahmeti.

Lajme

03/11/2016 15:52

Preferon të quhet simpatizant i popullit shqiptar, jo i Lëvizjes Vetëvendosje. Por, krejt militantizmin prej shqiptari e ka vënë në funksion të Lëvizjes Vetëvendosje.

Artan Kurteshi së bashku me Faton Mehmetin kanë marrë dy tenderë në Komunën e Prishtinës. Tenderët i kanë fituar për herë të parë dhe kanë të bëjnë me furnizim me inventarë për Komunën. I gjithë facebook-u i të dyve është i mbushur me parulla të Lëvizjes Vetëvendosje. Publiciteti më i madh ka qenë në shërbim të deputetit, Ismail Kurteshi. Por biznesmeni i ri, Artan Kurteshi thotë të mos ketë lidhje më deputetin e Vetëvendosjes, shkruan lajmi.net.

“Jo më herët nuk kemi marrë tender në Komunën e Prishtinës. Janë vetëm këta dy tenderë. Tenderi parë është nënshkruar dhe është duke u realizuar, të dytin nuk e kemi nënshkruar ende. Nuk kam asnjë lidhje me deputetin Kurteshi. Nuk jam anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Jam simpatizant i popullit shqiptar, se jam shqiptar”, tha për lajmi.net Artan Kurteshi.

Konsorciumi “FM Group&A&F Construction” e ka fituar tenderin “Furnizimi dhe montimi i inventarit dhe materialeve tjera për funksionalizimin e qendrës për Business Process Outsourcing”.

Pronarë i kompanisë “FM Group” është Faton Mehmeti, ndërsa në kompaninë “A&F Construction”, Fatoni është pronarë bashkëpronar me Artan Kurteshin. Vlera e kontratës është 44,317,50 euro dhe kontrata me Komunën e Prishtinës është nënshkruar në fund të muajit shtator, ndërsa në garë për këtë tender kanë qenë gjashtë kompani.

Të mërkurën (dje) Komuna e Prishtinës ka bërë njoftim për dhënie të kontratës për tenderin  “Furnizimi me inventar për administratën komunale”, ku thuhet se fitues është kompania “A&F Construction”, në të cilën janë pronarë Kurteshi e Mehmeti bashkë. Vlera e tenderit është 57,550.00 euro, dhe pritët të nënshkruhet pas pakë ditësh.

Në garë për të fituar këto punë kanë qenë katër kompani, ndërsa tenderi ka të bëjë me furnizimin me inventar si tavolina te punës, karrige për punëtor, karrige për qytetarë, sirtarë, ormanë metalik, ormanë për arkivim, varëse për gardërobë, aparat te zjarrit, pano ndarëse-mbajtëse për broshura. /Lajmi.net

 

11