Komplikimet institucionale e lënë Kosovën pa fondin nga BE-ja

Dy ditë më parë, BE-ja ka theksuar nevojën urgjente për institucionet e reja të Kosovës, në mënyrë që t’i përmbushë reformat evropiane, si dhe për të përfituar nga Plani i Rritjes. Bekim Salihu, nga Instituti për Studime të Avancuara – GAP, thotë se pa konstituimin e Kuvendit, Kosova nuk mund ta procedojë projektligjin për ratifikimin…

Lajme

25/04/2025 18:20

Dy ditë më parë, BE-ja ka theksuar nevojën urgjente për institucionet e reja të Kosovës, në mënyrë që t’i përmbushë reformat evropiane, si dhe për të përfituar nga Plani i Rritjes.

Bekim Salihu, nga Instituti për Studime të Avancuara – GAP, thotë se pa konstituimin e Kuvendit, Kosova nuk mund ta procedojë projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes me BE-në për tërheqjen e grantit fillestar.

“Kosova ende nuk e ka përfituar as këstin e parë, që është rreth 65 milionë euro. Kosova nuk ka arritur t’i përmbushë ende çështjet teknike, procedurale. Për rrjedhojë, BE-ja e ka të pamundur ekzekutimin e mjeteve për shkak të këtyre komplikimeve institucionale dhe politike që i kemi në vend”, thotë Salihu për REL.

Ai shton se në rast se konstituimi i Kuvendit zvarritet edhe më tej, ekziston rreziku që Kosova fare të mos përfitojë sivjet nga Plani për Rritje i BE-së.

Pa një Kuvend të konstituuar, siç thotë Salihu, Kosova nuk mund të ketë qeveri të plotfuqishme. Për pasojë, ajo nuk mund t’i qaset dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që është kërkesë dhe insistim i Bashkimit Evropian, si ndërmjetësues i procesit.

Në këtë kontekst, të enjten, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, zhvilloi një vizitë të paparalajmëruar në Prishtinë, ku u takua me kryenegociatorin e Kosovës për dialogun, Besnik Bislimi.

“Njëra prej kërkesave të para [të BE-së], të mos them e vetmja, ishte që Kosova të ngutet që t’i themelojë institucionet, me qëllim që pastaj të shtyhet tutje agjenda e normalizimit ose e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë Salihu.

Ai shton se vazhdimi i procesit të dialogut ka efekt rajonal për sigurinë, por edhe dërgon mesazhin se Kosova është shtet serioz./REL