Komisioni Evropian komenton nismën e PDK-së: Mbështetja jonë për Specialen është e qëndrueshme, gjykata jep drejtësi të paanshme

Dorëzimi i projektligjit të Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është komentuar edhe në Komisionin Evropian. PDK-ja e ka proceduar këtë nismë në Kuvend më 21 shtator, pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe…

Lajme

22/09/2026 13:57

Dorëzimi i projektligjit të Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është komentuar edhe në Komisionin Evropian. PDK-ja e ka proceduar këtë nismë në Kuvend më 21 shtator, pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Gazetari në Bruksel, Ekrem Krasniqi, e pyeti zëdhënësin e Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Christian Wigand, nëse BE-ja ka shqyrtuar ndonjë skenar në rast se në apel do të urdhërohej rigjykimi i ish-presidentit Hashim Thaçi dhe tre të tjerëve, përfshirë mundësinë që procedurat të zhvilloheshin në gjykatat e Kosovës, transmeton lajmi.net.

Wigand tha se Komisioni Evropian nuk komenton njoftimet apo planet e tilla, ndërsa përsëriti qëndrimin e BE-së për Dhomat e Specializuara.

“Të themeluara me vendim të Kuvendit të Kosovës në 2014, 2015, duke vepruar brenda sistemit ligjor të Kosovës dhe punën e të cilave BE-ja e ka mbështetur vazhdimisht. Puna e saj është e rëndësishme për sigurimin e llogaridhënies, duke u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet e Kosovës. Dhe siç e kam theksuar këtu edhe më parë, personat e dënuar në aktgjykimin e shkallës së parë sigurisht që kanë të drejtë të apelojnë aktgjykimin para gjyqtarëve të pavarur të apelit në një panel të veçantë të apelit të Specializuar të Kosovës. Por përsëri, mendoj se mbështetja jonë për Dhomën është e qëndrueshme dhe do të mbetet e tillë”, tha ai.

I pyetur nëse Prokuroria mund të ndjekë penalisht të gjitha krimet e pretenduara të luftës të periudhës 1998-1999, Wigand nuk dha një përgjigje të re, por iu referua qëndrimit të mëhershëm të BE-së.

“Shiko, unë mund të kujtoj përsëri vetëm atë që kam thënë këtu më parë, që për aktgjykimin e shkallës së parë, BE-ja mban shënim që Dhomat e Specializuara të Kosovës po japin drejtësi duke zhvilluar procedura gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale. Dhe përsëri që sigurisht personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë çdo aktgjykim të tillë. Kështu që mendoj se do ta lë me kaq, nuk ka asgjë për të shtuar”, u përgjigj ai.

Në konferencë u ngrit edhe çështja e aktakuzës ndaj Stankoviqit dhe 14 personave të tjerë për krime lufte në fshatin Mejë të Gjakovës.

Krasniqi e pyeti Wigand nëse BE-ja kishte kërkuar ndonjëherë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të dorëzoheshin të akuzuarit te autoritetet e Kosovës ose që ndaj tyre të zhvillohej një proces gjyqësor në Beograd.

“A keni kërkuar ndonjëherë në ndonjë lloj takimi me Vuçiq që ose t’i dorëzojë ata 15 të akuzuar në gjykatat e Kosovës, ose të nisë një gjyq në Beograd? Sepse Serbia ka bërë në disa raste gjyqe ndaj të akuzuarve dhe madje ka dënuar disa individë për krimet e luftës që ndodhën gjatë luftërave dyvjeçare në vetë Kosovën”, ishte pyetje e Krasniqit drejtuar zëdhënësit të BE-së.

“Po, faleminderit për pyetjen tuaj. Ne do ta shqyrtojmë këtë dhe do t’ju kthejmë përgjigje”, tha Wigand./lajmi.net/