Komisioneri Avramopoulos: Perspektiva europiane e Kosovës është e sigurt

Komisioneri evropian për migrim, çështje të brendshme dhe shtetësi, Dimitris Avramopoulos, gjatë vizitës së tij në Kosovë, ka takuar presidenten Atifete Jahjaga. Ai ka thënë se perspektiva europiane e Kosovës, është e sigurt.

Lajme

10/03/2015 12:37

Gjatë takimit që ka zhvilluar me presidenten Jahjaga, sipas një komunikate të Presidencës, Avramopoulos thuhet se ka përgëzuar të parën e vendit, për angazhimin e saj për të adresuar migrimin ilegal dhe vendosjen e dialogut të drejtpërdrejt me qytetarët.

“Kosova është e sigurt në perspektivën e saj evropiane dhe pret që përmbushen të gjitha kriteret e përcaktuara që do të mundësojnë liberalizimin e vizave. Po kthena në Bruksel shumë më optimist për progresin e arritur në agjendën evropiane”, tha Avramopoulos.

Ndërsa presidentja Jahjaga theksoi se prioritet për institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës është sundimi i rendit dhe ligjit, luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit, si dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i vendit.

“Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara në përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave dhe se prioritet për të gjithë qytetarët pa dallim është integrimi në Bashkimin Evropian, prandaj vendi ynë duhet të ketë perspektivë të qartë evropiane”, ka thënë Jahjaga.