Avokati Berisha: Kemi prova se ka pasur shtytje në vra*sjen e Arlinda Zekajt, hetimet mund të zgjerohen

Avokati i familjes së Arlinda Zekajt, Besnik Berisha, ka deklaruar se kanë ofruar prova që, sipas tij, forcojnë dyshimet për përfshirjen e personave të tjerë në shtytjen e vrasjes së 49-vjeçares. Duke folur për zhvillimet e fundit në këtë rast, Berisha ka bërë të ditur se aktualisht nën hetim janë edhe vjehrra dhe vëllai i…

Lajme

24/11/2026 14:44

Avokati i familjes së Arlinda Zekajt, Besnik Berisha, ka deklaruar se kanë ofruar prova që, sipas tij, forcojnë dyshimet për përfshirjen e personave të tjerë në shtytjen e vrasjes së 49-vjeçares.

Duke folur për zhvillimet e fundit në këtë rast, Berisha ka bërë të ditur se aktualisht nën hetim janë edhe vjehrra dhe vëllai i bashkëshortit të së ndjerës, ndërsa ka paralajmëruar se hetimet mund të zgjerohen edhe ndaj personave të tjerë.

“Kemi ofruar prova po ashtu që forcojnë bindjen, së paku për një dyshim të bazuar, se ka pasur shtytje në vrasjen e saj si shtytës”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka thënë se beson që përfshirja e personave të tjerë në këtë rast nuk do të përfundojë me personat që tashmë janë marrë në hetim.

“Unë besoj fuqishëm se kjo shtrirje nuk do të ndalet këtu. Do të ketë edhe persona të tjerë në shtytjen e vrasjes”, është shprehur avokati.

Berisha ka pretenduar gjithashtu se kanë ofruar prova edhe ndaj një personi tjetër, për të cilin dyshojnë se ka pasur rol në shtytjen e vrasjes së Arlindës.

“Kemi ofruar prova të mjaftueshme që ai është po ashtu shtytës i vrasjes së tani të ndjerës”, ka deklaruar ai.

Avokati i familjes ka bërë të ditur edhe se, sipas informacioneve që posedojnë, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, për të cilët pret që së shpejti të bëhen publike zhvillimet përkatëse.

“Po ashtu janë arrestuar edhe dy persona të tjerë nga informacionet që i kemi dhe besoj që së shpejti i merrni edhe ju në publik, për shkak të ndihmës së ofruar”, ka thënë Berisha.

Ai ka folur edhe për dyshimet lidhur me personat që mund ta kenë ndihmuar të dyshuarin kryesor pas kryerjes së vrasjes, deri në momentin e dorëzimit të tij te Policia e Kosovës.

Sipas Berishës, janë identifikuar edhe persona të tjerë, përfshirë familjarë, që dyshohet se kanë pasur rol në këto zhvillime.

Deklaratat e avokatit për përfshirjen e personave të tjerë paraqesin pretendime të palës së familjes dhe nuk përbëjnë konstatim përfundimtar të përgjegjësisë penale. Hetimet dhe vlerësimin e provave e bëjnë organet kompetente të drejtësisë. /Lajmi.net/