KOMF reagon pasi u gjet një foshnjë afër mbeturinave në Prishtinë – Kërkon hetim të plotë, të shpejtë dhe transparent
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve-KOMF, ka reaguar pasi një foshnjë është gjetur e pajetë në një qese të zezë pranë një deponie mbeturinash në Prishtinë. KOMF përmes një komunikate për media ka thënë se kjo ngjarje është alarm i rëndë dhe i dhimbshëm për të gjithë shoqërinë tonë. Ata kanë thënë se asnjë…

Lajme
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve-KOMF, ka reaguar pasi një foshnjë është gjetur e pajetë në një qese të zezë pranë një deponie mbeturinash në Prishtinë.
KOMF përmes një komunikate për media ka thënë se kjo ngjarje është alarm i rëndë dhe i dhimbshëm për të gjithë shoqërinë tonë.
Ata kanë thënë se asnjë foshnjë dhe asnjë fëmijë nuk duhet të përfundoj në këtë mënyrë të tmerrshme.
“KOMF bën thirrje për:
- Hetim të plotë, të shpejtë dhe transparent nga organet e rendit për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti, identifikimin e përgjegjësve dhe marrjen e denimeve sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
- Vlerësim të funksionimit të mekanizmave parandalues për identifikimin dhe mbështetjen e nënave në situatë të rëndë sociale apo psikologjike, veçanërisht nënave të reja që mund të jenë të pambështetura dhe të painformuara për ndihmën që mund të marrin.
- Fuqizim të masave parandaluese, përmes ofrimit të shërbimeve psiko-sociale, programeve të prindërimit, mbështetjes për shëndetin mendor dhe fushatave të ndërgjegjësimit që promovojnë dinjitetin dhe jetën e çdo fëmije.
- Angazhim të menjëhershëm të institucioneve të mbrojtjes sociale, shëndetësore dhe të drejtësisë për të siguruar që asnjë rast i ngjashëm të mos përsëritet.”, thuhet në reagim.
KOMF i bën thirrje gjithashtu prindërve që të kërkojnë ndihmë në rast të vështirësive. Ndihma është e qasshme, mund të lajmëroheni në Qendrën për Punë Sociale në komunën që jetoni për të marrë shërbimet dhe mbështetjen e nevojshme.
KOMF shpreh ngushëllimet më të thella dhe dhimbjen për këtë humbje tragjike!