Komandanti i KFOR-it për ndërtimin e urave mbi Ibër: Jashtë kompetencave tona, por mbështesim dialogun në Bruksel

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka komentuar ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, të nisura nga institucionet e Kosovës. Ai tha se ky projekt infrastrukturor nuk hyn në fushëveprimin e KFOR-it, megjithatë theksoi se mbështetja për zgjidhje përmes dialogut mbetet thelbësore. “Më lejoni të theksoj se, sigurisht, ky projekt…

Lajme

29/07/2025 14:36

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka komentuar ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, të nisura nga institucionet e Kosovës.

Ai tha se ky projekt infrastrukturor nuk hyn në fushëveprimin e KFOR-it, megjithatë theksoi se mbështetja për zgjidhje përmes dialogut mbetet thelbësore.

“Më lejoni të theksoj se, sigurisht, ky projekt infrastrukturor dhe ndërtimi i vazhdueshëm i këtyre dy urave të reja janë jashtë kompetencës së KFOR-it. Por në këtë drejtim, edhe një herë, duhet të theksoj se KFOR-i dhe NATO-ja në përgjithësi e mbështesin fuqimisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja edhe për këtë çështje. Dhe për këtë çështje, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka qenë shumë i qartë”, deklaroi Barduani.

Ai shtoi se KFOR-i vazhdon të jetë i përkushtuar ndaj sigurisë në Kosovë, përfshirë edhe në veri të Mitrovicës, ku forcat e NATO-s mbajnë një prani të përhershme dhe kryejnë patrullime të rregullta.

“Duke thënë këtë, e përsëris se roli i KFOR-it është të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë, si dhe në veri të Mitrovicës, ku, siç thashë, KFOR-i mban një prani të përhershme dhe të dukshme jo vetëm në urë, por edhe me patrullime të rregullta në qytet dhe rrethinat e tij. Në këtë kontekst, KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën, mban qëndrimin e duhur në mënyrë që të reagojë shpejt dhe me vendosmëri ndaj çdo zhvillimi të situatës së sigurisë në zonë, me një qëllim në mendje, mirëqenien e të gjithë njerëzve që jetojnë atje”, tha ai për Kosovo Online, transmeton lajmi.net./Lajmi.net/