Kolgeci: QKUK më e sigurta në vend për trajtime dhe operacione, qytetarët të kenë besim te kirurgët tanë
Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Njazi Kolgeci, e ka vlerësuar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës si spitalin më të sigurt në vend. Ai ka thënë se kushtet në sallat e operacionit janë të përmbushura dhe stafi është i mjaftueshëm. Në emisionin “Shëndeti sot” të KosovaPress-it, Kolgeci ka theksuar nevojën për përmirësimin e ambienteve të…
Lajme
Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Njazi Kolgeci, e ka vlerësuar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës si spitalin më të sigurt në vend. Ai ka thënë se kushtet në sallat e operacionit janë të përmbushura dhe stafi është i mjaftueshëm.
Në emisionin “Shëndeti sot” të KosovaPress-it, Kolgeci ka theksuar nevojën për përmirësimin e ambienteve të klinikës. Ai ka kërkuar ndërtimin e një objekti të përbashkët për të gjitha klinikat kirurgjike.
“Unë asnjëherë nuk jam i kënaqur me atë që kemi. Gjithmonë pretendoj edhe më mirë se sa që është. Po Qendra Klinike Universitare është më e sigurta prej krejt spitaleve që ekzistojnë në Kosovë. Kushtet janë absolutisht, sidomos në sallat e operacionit janë absolutisht të përmbushura komplet. Stafi jonë është i kompletuar, 15 kirurgë, janë 27 infermiere. Është i mjaftueshëm. Çka kisha dashtë me i shtu unë? Ambientet të cilat neve i kemi, janë ambiente të vjetra. Unë kam dëshirë shumë që të vijë dita që të ndërtohet një ndërtesë e madhe ku të jenë të sistemuara krejt klinikat kirurgjike. Kirurgu është i njëjtë. Kështu që sallat e intervenimeve kirurgjike mendoj që duhet me qenë të përbashkëta. Kjo është edhe më e mirë sepse mund të mbahet edhe më lehtë filtrimi dhe pre-mjekimi. Po për sa i kemi, sallat e operacionit janë rreth shtatë shtretër. Me kushtet që i kemi, po mundohemi me e përballuar këtë kërkesat që i kemi të pacientëve. Për sa i kemi drejtuar, ne e theksojmë këtë, është e mirë.” tha Kolgeci.
Klinika e Kirurgjisë Torakale ka 2 salla operacioni, të dyja funksionale dhe të pajisura me mjetet e nevojshme.
Duke folur për kapacitetet e klinikës, Kolgeci u ka bërë thirrje qytetarëve të kenë besim te kirurgët. Ai ka theksuar se ekipi profesional dhe kushtet mundësojnë realizimin e ndërhyrjeve kirurgjike.
“Ne si klinikë kemi një numër të mjaftueshëm të kirurgëve torakale, dhe kushtet janë të mira për intervenime të tilla, dhe qytetarët duhet të kenë besim, sepse ekziston ekip i mjaftueshëm për intervenime të tilla, por edhe kushtet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë të mira”, tha Kolgeci.