167 apo mbi 900 banda kriminale të shkatërruara në vend? Shifrat e Sveçlës dhe Osmanit përplasen
Qeveria e Kosovës, ka publikuar të arriturat gjatë Qeverisë Kurti 2, që ishte mandati i plotë i tyre. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar disa të arritura në ministrinë e tij, shkruan lajmi.net. “Gjatë qeverisjes Kurti 2, siguria u fuqizua përmes luftimit të krimit të organizuar, goditjes së grupeve kriminale dhe intensifikimit…
Lajme
Qeveria e Kosovës, ka publikuar të arriturat gjatë Qeverisë Kurti 2, që ishte mandati i plotë i tyre.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar disa të arritura në ministrinë e tij, shkruan lajmi.net.
“Gjatë qeverisjes Kurti 2, siguria u fuqizua përmes luftimit të krimit të organizuar, goditjes së grupeve kriminale dhe intensifikimit të luftës kundër trafikimit dhe shpërndarjes së narkotikëve. Krahas kësaj, u avancua shtrirja e sovranitetit dhe prania institucionale në veri të vendit, duke luftuar strukturat ilegale dhe krijuar kushte për zbatimin e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Këto rezultate u reflektuan edhe në vlerësimet ndërkombëtare, ku Republika jonë u rendit ndër vendet me nivelin më të lartë të sigurisë publike dhe besimit të qytetarëve në institucionet e rendit dhe ligjit. Përparimi në këtë fushë e ka forcuar pozitën e Kosovës si faktor i sigurisë dhe stabilitetit rajonal e evropian”, ka shkruar Sveçla.
Në fotografinë ku ai i ka paraqitur sukseset, thuhet se i kanë shkatërruar 167 banda kriminale në tërë territorin e vendit.

Por, për këto banda kriminale, numër shumë më të madh pati dhënë ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Për pushtetin e sotëm, për besë, a ka ma marre sesa ju me krahasu veten me ata të vitit 2014. 2015, 2016…Krahasoni me veten. Krahasoni veten me vetveten tuaj të vitit paraprak. Dhe për këtë shërben Raporti”, ka thënë Osmani.
Ajo tha se raporti “na tregon se vendi jonë nuk ka arritur të shënojë përparimin e nevojshëm, përparimin e premtuar, apo në rastin tuaj, përparimin e propaganduar”.
“Përfundimi më shqetësues është në disa fusha që janë më themelore në jetën e qytetarëve, Kosova s’ka shënuar asnjë përparim”, ka shtuar ajo.
Osmani tha se te funksionimi i gjyqësorit, për vitin 2025, nuk ka progres dhe tha se edhe pas gjashtë vitesh në pushtet, Komisioni Europian flet për ndikime politike në sistemin e drejtësisë, “që vazhdojnë të jenë pengesë serioze në paanshmërinë e këtij sistemi”.
“Shumë më lehtë të shpallësh luftë ndaj së të kaluarës sesa të ndërtosh institucione të pavarura në të tashmen”, ka shtuar Osmani.
Raportet e tyre janë prishur tejmase që kur kryeministri Albin Kurti nuk e propozoi atë edhe për një mandat si Presidente. /Lajmi.net/