Koha për një ligj për Trepçën

Menaxheri i “Trepçës”, Halil Qela, thotë se tani është koha që kompleksi industrial Trepça ta ketë ligjin e vet të veçantë. Pretendimet serbe ndaj gjigantit industrial kosovar, sipas tij, nuk janë të reja.

Lajme

15/11/2013 20:41

Lufta e Kosovës dhe Serbisë për Trepçën është ringjallur me një deklaratë të Ministrit Serb të Minierave, Milan Bacevic.

Ai tha se Serbia po përgatitet që deri në fund të këtij viti ta nënshkruajë një marrëveshje me kompaninë amerikane “New Generation Power”, gjë e cila u kundërshtua menjëherë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Përderisa Prishtina dhe Beogradi vazhdojnë të shtyhen rreth pronësisë së Trepçës, asetet e kësaj kompanie vazhdojnë të mbesin të ndara, ashtu siç Kosova mbetet tash e 14 vjet e ndarë në vija etnike- këndej dhe matanë lumit Ibër.

Por, Ushtruesi i Detyrës së Menaxherit të Kompanisë Trepça, Halil Qela, thotë për lajmi.net se tashmë është koha kur nuk duhet shikuar më se çka po flitet e shkruhet në Beograd rreth këtij gjiganti të dikurshëm industrial.

Ai thotë se institucionet në Prishtinë duhet të fillojnë punë për ta ringjallur Trepçën.

“Në një aspekt ndoshta është mirë ky lloj provokimi qe ne mos të flejmë, por sa më parë ta miratojmë Ligjin që pret të shkojë në Kuvend”.

“E vërteta është se kjo pjesë është nën menaxhim të AKP’së. mirëpo ne nuk duhet humbur kohë për deklaratat e Bacevicit por sa më shpejt duhet të miratohet Ligji i veçantë për Trepçën ku do te hapej mundësia e zhvillimit dhe e perspektivës për Trepçën”, thotë Qela.

Sipas Qelës, pretendimet e Beogradit për të nënshkruar marrëveshje me këtë kompani nuk janë të reja.

“E njëjta kompani ka nënshkruar edhe më herët diçka të ngjashme por nuk është implementuar, pasi që pjesa veriore e Trepçës, ashtu si edhe pjesa jugore, janë në Menaxhim të AKP’së, e cila është sipas Ligjit aktual Administratore për tërë Trepçën brenda territorit të Republikës së Kosovës”, thotë Qela për lajmi.net.

Halil Qela, i cili është ushtrues i detyrës së menaxherit të Trepçës për pjesën jugore, thotë se nuk ka kompetenca për asetet e kompanisë në Veri “e rrjedhimisht as kontakte me kompaninë në fjalë”.

Milan Bacevic ka thënë për gazetën serbe “Novosti” se drafti i marrëveshjes për partneritet strategjik është i gatshëm dhe ka mbetur që të dyja palët të pajtohen për përmbajtjen përfundimtare të këtij dokumenti.

Me këtë marrëveshje, “Trepça serbe” do t’i ketë 51 për qind të aksioneve në kombinat, ndërsa kompania amerikane 49 për qind.

Por, Agjencia Kosovare e Privatizimit i ka hedhur menjëherë poshtë pretendimet e Serbisë ndaj kombinatit “Trepça”.

Zyrtarë të AKP’së kanë thënë për lajmi.net se çdo marrëveshje që nuk aprovohet nga ky institucion do të jetë e pavlefshme.

“Për AKP’në, si administratore e vetme e ndërmarrjes shoqërore Trepça, çdo marrëveshje që nuk aprovohet prej saj është e pavlefshme”, ka thënë Zëdhënësi i AKP’së, Ylli Kaloshi.