Koha Ditore i nënshtrohet Vetëvendosjes – heq nga puna vajzën e Halil Matoshit

Gazetarja Artiana Matoshi ka mbetur pa punë. Deri dje, ajo ka punuar në Kohën Ditore. Drejtuesja e këtij mediumi, Flaka Surroi, e ka përjashtuar atë me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje. Artiana i ka dy faje: nën një e ka baba Halil Matoshin, nën dy e ka bërë një LIKE në një postim të papërshtatshëm.

Lajme

27/11/2015 18:42

Gazetarja Artiana Matoshi ka mbetur pa punë. Deri dje, ajo ka punuar në Kohën Ditore. Drejtuesja e këtij mediumi, Flaka Surroi, e ka përjashtuar atë me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje. Artiana i ka dy faje: nën një e ka baba Halil Matoshin, nën dy e ka bërë një LIKE në një postim të papërshtatshëm.

Artiana Matoshi, e cila ka punuar deri dje si gazetare në Gazetën Koha Ditore, është përjashtuar nga ky medium pas një kërkese të Lëvizjes Vetëvendosje.

Artiana është vajza e publicistit të njohur Halil Matoshit, luftën ndaj të cilit duket se partia e Visar Ymerin e ka shndërruar në betejë personale dhe private; vetëm për faktin se ai kohën e fundit është kritik ndaj veprimeve të Opozitës.

Gazeta Express ka siguruar një email të Lëvizjes Vetëvendosje drejtuar Drejtoreshës së Grupit Koha, Flaka Surroit, ku i kërkohet që gazetarja Artiana H. Matoshi mos t’i përcjell më aktivitetet e Komunës së Prishtinës, meqenëse ky institucion udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje.

arti

Menjëherë pas këtij emaili, drejtuesit e Kohës, kanë marrë vendim që ta largojnë gazetaren nga puna.

Por cili është faji i Artiana Matoshit?

Artiana është pjesë e një grupi të mbyllur në Facebook i quajtur “Manjakizëm”; grup ku bëhen postime ironike dhe satirike. Aty, javën e kaluar, një prej anëtarëve ka bërë një postim ku thotë “Aman Zot ami 2 ditë pushtet ti vras shpihunat e Albinit”. Këtij postimi, Artiana ia ka bërë like. Kaq ka mjaftuar. Zëdhënësja e Lëvizjes Vetëvendosje,

Tinka Kurti e ka marrë këtë postim dhe e ka shpërndarë në faqen e saj të Facebook’ut.

artia

 

Për postime të papërshtatshme në rrjetet sociale, në botë janë përjashtuar disa gazetarë – përfshirë edhe një gazetare të CNN e cila u supendua javën e kaluar, por për LIKE në Facebook ky mund të jetë rasti i parë në botë. E paprecedent duket të jetë edhe kërkesa e Vetëvendosjes si parti politike drejtuar Kohës Ditore; e paprecedent për vende demokratike, normalisht.

Gazeta Express e ka kontaktuar Artiana Matoshin, por ajo nuk ka dashur të flasë për këtë temë.

“Nuk kam koment”, ka qenë përgjigja e saj në pyetjet e gazetës se pse iu larguan nga puna në Kohën Ditore.