Kodi i Ndërtimit në Prishtinë, i domosdoshëm
Liburn Aliu thotë se të gjitha çështjet e urbanizmit do të rregullohen me ligj. Ndërsa përfaqësuesit e Shoqatës së ndërtimtarëve kanë thënë se Prishtina është rregulluar pa ndonjë rregull. Sipas tyre pa aprovimin e kodit nuk mund të ketë zbatim të ligjit.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe Drejtori i Urbanizmit, Liburn Aliu, kanë pritur sot drejtuesit e Shoqatës së Ndërtimtarëve, me të cilat ka biseduar kryesisht për çështjet që kanë të bëjnë me urbanizmin.
Drejtori i Urbanizmit, Aliu, ka thënë pas takimit se të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me urbanizmin do të rregullohen me ligj.
“Në këtë takim janë shqyrtuar shumë çështjet që kanë të bëjnë me ndërtimet, që kanë të bëjnë me licencat kanë të bëjnë me infrastrukturën”.
“Të gjitha këto çështje janë të përcaktuara me ligj do të synohet bashkëpunimi më i madh dhe kjo e tëra në funksion të zbatimit të ligjit edhe çështjet e zbatimit të kontratave të punëtorëve të gjitha këto çështje janë që definohen me ligj dhe natyrisht që organet e Komunës që kanë kompetencë në këto lëmi do ta bëjnë maksimumin e vet kur bëhet fjalë për inspektoratet, për drejtorinë e urbanizimit për dhënien e lejeve dhe në informim të palëve”.
“Bashkëpunimi në mes të pushtetit komunal dhe shoqatave të organizuara dhe shoqërisë civile është i domosdoshëm meqenëse komunikimi sa më i madh do ta bëjë lehtësimin e punëve në terren dhe menaxhimin e këtyre punëve që i bie në përgjegjësi Komunës e po ashtu edhe vet kompanive të ndërtimit që do ta bëjnë punën në terren”.
Sylejman Daka, përfaqësues i shoqatës së Hidorinxhinierëve të Kosovës, ka thënë se Prishtina si kryeqytet është ndërtuar pa ndonjë rregull.
“Prishtina është ndërtuar së pari si kryeqytet pa ndonjë konturë pa ndonjë rregull të qytetit sepse ka pasur gjithmonë migrim të madh. Konform kësaj është ndërtuar një infrastrukturë gjithmonë politike, për arsye se nuk ka shkuar në principe të rregullimit të projektimit të infrastrukturës sipas normave që duhet të aplikohen në të gjitha vendet”.
“Ne do të jemi edhe në dispozicion që së pari të punohet që të bëhet një rregullativë e mirëfilltë e asaj që ka nevojë për tu rregulluar.
Kryetari i Shoqatës Konstruktore të Ndërtimtarisë së Kosovës, Hamdi Sylejmani, ka deklaruar se pa aprovimin e kodit nacional nuk mund të funksionojë ligji.
“Një gjë që është ende pengesë është që ende nuk është aprovuar Kodi Nacional i Ndërtimit. Pa të nuk mund të funksionojë ligji, nuk mund të funksionojë kurrfarë inspektimi, kurrfarë mbikëqyrje, kurrfarë realizimi sepse aty definohen standardet të cilat duhet të përdoren”, tha Sylejmani.