Koci: Nëse kjo gjendje po iu duket normale votuesve, atëherë problemi nuk janë vetëm deputetët!

Avokati, Arianit Koci, nuk i ka vazhduar më aksionet në Kuvend. Koci përmes një reagimi në Facebook tha se ndalet dhe pyet veten ‘Nëse kjo gjendje po iu duket normale votuesve – atëherë problemi nuk janë vetëm deputetët’. “Po na dhunojnë psiqikisht – çdo ditë. E përballë kësaj, populli – hesht. As reagim. As kërkesë…

Lajme

21/06/2025 12:20

Avokati, Arianit Koci, nuk i ka vazhduar më aksionet në Kuvend.

Koci përmes një reagimi në Facebook tha se ndalet dhe pyet veten ‘Nëse kjo gjendje po iu duket normale votuesve – atëherë problemi nuk janë vetëm deputetët’.

“Po na dhunojnë psiqikisht – çdo ditë. E përballë kësaj, populli – hesht. As reagim. As kërkesë për llogari” shkuran Koci.

Postimi i plotë i Kocit:

Kisha protestu edhe më shumë.
Në forma të tjera. Më kreative. Më brutale. Më të drejtpërdrejta.
Por ndonjëherë ndalem dhe pyes veten:
Nëse kjo gjendje po iu duket normale votuesve – atëherë problemi nuk janë vetëm deputetët.
Sepse nuk ka shpjegim tjetër:
Po na dhunojnë psiqikisht – çdo ditë.
E përballë kësaj, populli – hesht.
As reagim. As kërkesë për llogari.
Sikur kjo të mos mjaftonte:
Nuk ka rrymë – në pikë të verës.
Ekonomia në kollaps.
Populli – në varfëri të skajshme.
Shteti – në vdekje klinike.
———
Sot është hera e 35-të që Kuvendi dështon.
E dijmë paraprakisht.
Nuk do të ketë zgjidhje. As përpjekje.
Kjo nuk është më dështim institucional.
Është Sindroma e Stokholmit – fenomeni kur viktima, në këtë rast votuesi – lidhet me dhunuesin/deputetin.
Kur njeriun që të poshtëron – ti e don.
Kur jo vetëm që nuk e kundërshton – por edhe e justifikon.
Për çdo fyerje. Për çdo poshtërim.
———
Deputetët na kanë kidnapu politikisht.
Na mbajnë peng.
Na e shkelin dinjitetin përditë
Po i durojmë.
Prapë po i votojmë.
Madje, as nuk po ankohemi.
Turp. Turp kolektiv.
———
Sidoqoftë – unë vazhdoj.
Me mundësitë që i kam.
Me takat.
Në anën tjetër – sot ju ftoj ta përcillni:
Kush mungon sot?
Të dielën e kaluar – 45 deputetë nuk ishin prezent.
Disa më thanë që kanë qenë në deti.
P.S.
Vazhdoj me i ftu mediat – mos me iu lënë hapësirë mediale deputetëve.
A pak na kanë rrejtë deri tash?