Koci kërkon reagim nga Osmani dhe Kurti: Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit, të ndalohen arrestimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së
Avokati Arianit Koci ka reaguar ashpër pas konstatimit zyrtar të Komisionit Evropian se Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2015, duke theksuar se arrestimet e shtetasve të Kosovës nga autoritetet serbe janë të paligjshme. Koci ka ftuar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministrin Albin Kurti që të reagojnë institucionalisht ndaj këtij vlerësimi…
Lajme
Avokati Arianit Koci ka reaguar ashpër pas konstatimit zyrtar të Komisionit Evropian se Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2015, duke theksuar se arrestimet e shtetasve të Kosovës nga autoritetet serbe janë të paligjshme.
Koci ka ftuar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministrin Albin Kurti që të reagojnë institucionalisht ndaj këtij vlerësimi të Komisionit Evropian, duke theksuar se Serbia nuk ka të drejtë të arrestojë ish-ushtarë të UÇK-së për vepra të pretenduara të kryera në territorin e Kosovës, transmeton lajmi.net.
Sipas tij, arrestimet dhe ndjekjet penale të shtetasve të Kosovës nga Serbia, pa kërkesë zyrtare të institucioneve të Kosovës, përbëjnë shkelje të drejtpërdrejtë të obligimeve që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut të Brukselit.
Avokati Koci ka bërë të ditur se aktualisht ndodhet në Serbi për shkak të arrestimit të Mit’hat Lozhanit, rast të cilin po e përcjell nga afër.
Në fund, ai ka lëshuar edhe një apel publik, duke këshilluar ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe ish-zyrtarët e organeve të sigurisë së Kosovës që të shmangin udhëtimin përmes Serbisë, për shkak të rrezikut të arrestimit.