Kobra qeshet e bën gjeste pak para seancës, babai i viktimës përlotet derisa flet para trupit gjykues: E di qysh i kam rritë…

Sot është mbajtur seanca e radhës në rastin e njohur si “Kobra”, ku të akuzuarit, Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli akuzohen për vrasjen e Visar Cengut më 3 janar të vitit 2023. Babai i viktimës, Behar Cungu gjatë dhënies së dëshmisë së tij ka kërkuar…

Lajme

23/01/2025 14:42

Sot është mbajtur seanca e radhës në rastin e njohur si “Kobra”, ku të akuzuarit, Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli akuzohen për vrasjen e Visar Cengut më 3 janar të vitit 2023.

Babai i viktimës, Behar Cungu gjatë dhënies së dëshmisë së tij ka kërkuar drejtësi për vrasjen e djalit të tij.

Në fjalën e tij, Cungu dha detaje në lidhje me atë se si ishte merakosur për vendndodhjen e të birit, duke thënë se kishte hamendësuar se atë natë mund të kishte dalur me shokë.

“Meqë ishte Viti i Ri edhe nuk ishte kthyer djali, mendova që ka dalur dikund për darkë. Kuptohet se prindin nuk e zë gjumi kur nuk vie fëmija në shtëpi. U ngrita dhe e pashë që nuk ishte kthyer, dola nëpër qytet për të parë se ku mund të jetë për shembull. Kisha dalur në qytet dhe nuk e kisha parë makinën. E thirra në telefon djalin por nuk i bënte. Ka qenë ora 3 e natës”, tha ai.

“Dua drejtësi karshi djalit, dhe nuk mund të them shumë se nuk kam qenë në vendin e ngjarjes”, vazhdoi ai.

I pyetur nga avokati i Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, se a ishte takuar me shokët e djalit të tij, Rifgen Shehu dhe Arben Bashkën, babai i viktimës tha se asnjëherë nuk është takuar me ta pasi ata ndodhen jashtë vendit.

Dëshmitari, Vllaznim Mustafa u pyet nga avokati mbrojtës i Dibran Hoxhaj, Florent Latifaj se klientin e tij në natën kritike a e ka parë në sallën e lokalit.

Dëshmitari deklaroi se atë natë Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra” e ka takuar në fillim dhe në fund kur e ka marr pagesën. /Lajmi.net/