Koalicioni nuk i ka votat për Demarkacionin

Sigurimi i 80 votave për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi vlerësohet si sfidë për koalicionin qeverisës, PDK-LDK dhe minoritetet.

Lajme

06/06/2016 07:51

Që kjo çështje të mos dështojë kërkohet një konsensus i domosdoshëm ndërmjet pushtetit dhe opozitës.

Derisa presidenti Thaçi kërkon ratifikimin e marrëveshjes, opozita kërkon komision të ri për vijën kufitare.

Mosmarrëveshjet brenda koalicionit qeverisës, PDK-LDK-minoritetet, sa i përket Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, e kanë vënë në dilemë ratifikimin e kësaj marrëveshjeje në Kuvendin e Kosovës.

Sipas përfaqësuesve të partive politike dhe sipas vlerësimit të analistëve politikë, koalicioni qeverisës nuk i ka votat e mjaftueshme për ratifikimin e këaj marrëveshjeje, që kërkon dy të tretet e votave të të gjithë deputetëve.

Prandaj subjektet opozitare, analistët politikë, por edhe disa deputetë të koalicionit qeverisës theksojnë nevojën e një zgjidhjeje të përbashkët në mes të pushtetit dhe opozitës. Madje analistët politikë thonë se Qeveria nuk duhet të rezikojë procesin e liberalizimit të vizave, duke e dërguar këtë marrëveshje në Kuvend pa qenë e sigurt se ajo do t’i marrë 80 votat e nevojshme për ratifikim. /Zëri