KMDLNj kërkon urgjentisht shkarkimin e kryetarit të Ranillugut

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka reaguar ndaj vendimit të kryetarit të komunës së Ranillugut, për emërimin e një rruge me emirin Sllobodan Millosheviq. KMLDNj, me anë të një reagimi, ka thënë se ky veprim nxitë urrejtje ndëretnike dhe ka kërkuar shkarkimin e kryetarit të Ranillugut.

Lajme

10/03/2015 14:47

Në një reagim dërguar medieve, KMDLNJ, thotë se emërtimi i rrugës me emrin Sllobodan Millosheviq është mohim i skajshëm i institucioneve të Kosovës, ligjeve të Kosovës dhe Kushtetutës së këtij vendi.

KMDLNJ thotë në reagimin e saj se MAPL nuk duhet të përpilojë lista “të zeza” sepse kjo, sipas tyre, është e rregulluar me ligjet në fuqi dhe çdokush që nxit, shpërndanë apo promovon ide që nxisin urrejtje ndëretnike, fetare, racore etj. bënë vepër penale dhe si i tillë duhet të trajtohet.

“Kryetari i Ranillugut, në rastin konkret është nxitës i urrejtjes ndëretnike prandaj ndaj tij duhet të hapet procedura hetimore dhe duhet të përballet me ligjin. Veprimi i papërgjegjshëm por i qëllimshëm i kryetarit të Ranillugut përveç se po bënë përpjekje që përmes emërtimit të rrugës me emrin e një krimineli ta rehabilitojë Sllobodan Millosheviqin duke e rikthyer në vendin e krimit, ka për qëllim ta thellojë ndarjen në baza etnike e cila në fund të fundit, më së shumti do t’i dëmtojë pjesëtarët e komunitetit serb”.

“Vet serbët e Ranillugut por edhe të tjerët duhet ta kundërshtojnë këtë çmenduri të shpërthimit dhe arrogancës nacionaliste dhe shoviniste të kryetarit të Ranillugut i cili po identifikohet me të kaluarën kriminale e cila e vështirëson të sotmen e serbëve sikur që e vë në rrezik ardhmërinë e serbëve në Kosovë”.

 

“Kryetar i Ranillugut duhet të shkarkohet urgjentisht dhe t’i nënshtrohet procedurës së ballafaqimit me ligjin. Për rastin Mikiq nuk është kompetente MAPL por policia dhe gjyqësia e Kosovës. Ndërsa në aspektin emocional dhe të kujtesës historike emërtimi i një rruge në Kosovë me emrin e Sllobodan Millosheviqit apo Gjeneral Drazha Mihajlloviq është e njëjtë sikur që në Izrael të emërtoheshin rrugët me emrat e Adolf Hitlerit apo të Gebelsit. Kjo është e paimagjinueshme për Izraelin por duket se po bëhet dukuri normale në Kosovë!!”, thuhet në fund të reagimit të KMLDNJ-së