KMDLNJ: Ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në rastin e personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës

Për 18 vjet personat e dhunuar seksualisht gjatë luftës kanë qenë pothuajse vetëm në barjet e krejt barrës dhe pasojave të ngjarjes, kjo pasi ata nuk kanë marrë asnjë ndihmë apo kompensim nga ana e shtetit.

Lajme

23/05/2022 15:28

Behxhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut për lajmi.net është shprehur se mund të thuhet se ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në trajtimin e personave që janë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës.

“Mund të themi që ka pasë shkelje të të drejtave të njeriut në kuptimin që është vonuar me procesin e krijimit të kushteve për aplikim për njohjen e statusit të viktimës të dhunës seksuale, sepse në Kuvendin e Koosvës ka pasë shumë përplasje dhe kundërshtime, derisa ka shkuar me ndihmën e OJQ-ve dhe të ndërkombëtarëve, por edhe me kushtëzimin e ndërkombëtarëve, atëherë ka filluar ky proces të përshpejtohet. Është shkelje e të drejtave të njeriut, pa asnjë dyshim. Por, është një satisfaksion simbolik sepse ai që e ka pësu dhunimin, qoftë mashkull apo femër, e ka një dëmtim të pariparueshëm, të përjetshëm. Përveç dëmtimeve fizike, që mund të riparohen, ata kanë pësuar një thyerje shpirtërore dhe këta persona në një vend që ka kushte duhet vazhdimisht të kenë trajtim psikologjik, në mënyrë që ta tejkalojnë këtë çështje, apo ta zbusin gjendjen.”

Shala thotë se dhunimi seksual gjatë luftës llogaritet si krim lufte dhe krim kundër njerëzimit, derisa ai është shprehur se gjykatat vendore dhe ndërkombëtare është dashur të kryejnë ndjekje penale lidhur me këto raste.

“Dhunimi seksual gjatë luftës llogaritet si krim lufte dhe krim kundër njerëzimit, për faktin që është përdor si mjet lufte. Në këtë kontekst është bërë gabim sepse krimet e luftës, pavarësisht të cilës natyrë janë, gjykatat vendore apo ndërkombëtare e kanë  parim, mënyrë të funksionuarit , ndjekjen sipas përgjegjësisë komanduese, politike, policore dhe ushtarake. Kjo hierarkia në bazë të përgjegjësisë. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të arrihet një drejtësi për viktimat e dhunës seksuale dhe për viktimat e krimeve tjera. Por tek ne ky parim nuk është zbatuar. Tek ne janë bërë përpjekje që të ndiqen nivele te ulëta. Kjo ka qenë e pamundur të identifikohen sepse këtu ka pas policë, ushtarë, paramilitarë që kanë ardh prej viseve tjera të Jugosllavisë… dhe nuk mund t’i identifikoni kryesit e veprave dhe e fusin në përdorim mekanizmin e përgjegjësisë komanduese.”

Ai thotë se viktimat meshkuj të dhunës seksuale nuk i kanë paraqitur rastet dhe kjo e bën të pamundur identifikimin e përgjegjësve.

“Viktimat e dhunës seksuale meshkuj, nuk i kanë paraqitur rastet dhe nuk kanë mundur ta identifikojnë nga kush janë dhunuar dhe tash nuk munden institucionet e drejtësisë që të marrin ndonjë veprim hetimor, të bëjnë ndonjë gjykim apo të marrin ndonjë vendim gjykues, nëse ju nuk ofroni fakte të mjaftueshme në bazë të të cilave do të kryhet një proces i rregullt gjyqësor.”. /Lajmi.net/