​KMDLNj ia numëron Policisë tri shkeljet e fundit të të drejtave të njeriut

Policia e Kosovës, e vlerësuar ndër vite si një ndër institucionet më të besuara në vend dhe partner i besueshëm i organizatave ndërkombëtare të sigurisë, është përballur me sfida serioze në javët e fundit, që po ndikojnë në perceptimin publik për këtë institucion. Brenda një periudhe 15-ditore janë shënuar tri raste të rënda që përfshijnë…

Lajme

08/07/2025 14:52

Policia e Kosovës, e vlerësuar ndër vite si një ndër institucionet më të besuara në vend dhe partner i besueshëm i organizatave ndërkombëtare të sigurisë, është përballur me sfida serioze në javët e fundit, që po ndikojnë në perceptimin publik për këtë institucion.

Brenda një periudhe 15-ditore janë shënuar tri raste të rënda që përfshijnë të ndaluar në stacionet policore:

Në Klinë, një person i privuar nga liria është rrahur ndërsa ishte i prangosur.

Në Suharekë, një i ndaluar ka kryer vetëvrasje brenda objektit të Policisë, në rrethana që sipas raportimeve lidhen me mungesë të kujdesit nga ana e zyrtarëve përgjegjës.

Së fundmi, në Lipjan, një i ri 27-vjeçar humbi jetën në rrethana ende të paqarta, po ashtu në kohën kur ndodhej nën pranga.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër, duke theksuar se këto raste përbëjnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe kanë vënë në pikëpyetje profesionalizmin e strukturave përgjegjëse. Sipas KMDLNj-së, në rastin e Klinës është dhunuar integriteti fizik dhe është ushtruar dhunë psikologjike, ndërsa rastet në Suharekë dhe Lipjan përbëjnë shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtës për jetë.

“Duhet të kërkohet përgjegjësi politike, profesionale, institucionale dhe penale për secilin në zinxhirin e përgjegjësisë, nga ministri në largim e deri te zyrtarët në terren”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së, transmeton kosovapress.

Inspektorati Policor i Kosovës ka ndërmarrë masa të menjëhershme për secilin rast, duke lejuar hetimin e pavarur deri në vendimet përfundimtare të organeve të drejtësisë.

Megjithatë, KMDLNj paralajmëron edhe për një rrezik tjetër: instrumentalizimin politik të Policisë së Kosovës. Sipas burimeve të besueshme të konfirmuara për KMDLNj-në, ka indikacione se vendimmarrja dhe veprimet policore në disa raste mund të jenë ndikuar nga faktorë politikë.

“Policia e Kosovës duhet të mbetet e pavarur dhe profesionale, duke e mbrojtur me çdo kusht ligjin dhe të drejtat e njeriut. Çdo përpjekje për ta vënë në shërbim të politikës, qoftë nga pozita apo opozita, është e papranueshme dhe e rrezikshme për shtetin e së drejtës”, përfundon reagimi i KMDLNj-së.