Kjo është vlera e dëmeve të shkaktuara nga era në Podujevë

Në bazë të vlerësimeve të Komisionit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, era e fuqishme që përfshiu ditë më parë disa zona të komunës ka shkaktuar dëme në vlerë prej mbi 106 mijë euro.

Lajme

25/01/2016 20:59

 

Sipas një komunikate të Komunës së Podujevës, komisioni për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore në Komunën e Podujevës, pas vizitave të realizuara dhe verifikimit të gjendjes në teren, ka dalë me raport mbi dëmet e shkaktuara nga era e fuqishme që përfshiu lokalitetet e komunës gjatë këtij muaji.

“Sipas këtij raporti, vlera e përgjithshme e dëmeve të shkaktuara nga era është 106,794. 59 euro. Dëmet e shkaktuara janë të natyrave të ndryshme. Në infrastrukturë (ku përfshihen shtëpi banimi, objekte afariste, objekte përcjellëse, stalla për bagëti etj.) dhe ekonomi të tjera familjare, dëmi i përgjithshëm është 52, 615. 24 euro. Komisioni gjithashtu ka vlerësuar dëmet e shkaktuara në bujqësi, të cilat kapin vlerën 51, 228.00 euro, si dhe në objekte shkollore, ku vlera e dëmeve të shkaktuara është 2, 951. 35 euro.

Komuna e Podujevës thotë se nuk posedon buxhet për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe se raporti i vlerësimit të dëmeve do t’i dërgohet për mbështetje Qeverisë së Republikës së Kosovës./kp