Kjo është gjendja shëndetësore e infermierit të therur me thikë në QKUK

Ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi, ka vizituar infermierin e plagosur.

Lajme

27/09/2020 16:41

Të shtunën brenda Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), është therur me thikë një infermier.

Gjatë së dielës, Valbon Krasniqi, ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, i shoqëruar nga kryetari i  Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Fitim Havolli, përfaqësuesi i Odës së infermierëve, Muharrem Arifi dhe  Flutura Sinani, nga Shoqata për të drejtat e pacientëve, kanë vizituar sot infermierin  F. B, i  sulmuar dje me thikë, cili pas intervenimit kirurgjik po vazhdon trajtimin mjekësor në QKUK.

Infermieri ishte vizituar edhe ditën e djeshme, menjëherë pas sulmit.

Siç bëhet e ditur në njoftim, ata gjatë vizitës shprehen keqardhje lidhur me sulmin, duke i ofruar mbështetjen e këtyre institucioneve për infermierin, shkruan lajmi.net.

Duke i uruar shërim të shpejtë, u urua që ky të jetë rasti i fundit dhe institucionet kompetente të ndërmarrin masa që sulmuesit e punëtorëve shëndetësorë të dalin para drejtësisë.

Po ashtu, është kërkuar mbrojtje institucionale për të gjithë punonjësit shëndetësorë.

Sipas njoftimit të SHSKUK-së, gjendja shëndetësore e infermierit është stabile. /Lajmi.net/