Kina paralajmëron protestuesit e Hong Kongut që të mos ‘luajnë me zjarr’

Kina ka lëshuar një paralajmërim të fuqishëm për protestuesit e Hong Kongut, duke thënë se përpjekjet e tyre “për të luajtur me zjarr vetëm do të dështojnë”.

Bota

06/08/2019 16:52

Një zëdhënës në zyrën e lartë të politikës së Kinës në Hong Kong u tha protestuesve të mos “nënvlerësojnë vendosmërinë e fortë [të] qeverisë qendrore”.

Hong Kongu po përballet që nëntë javë rresht protestash antiqeveritare.

Të hënën, një thirrje për një grevë të përgjithshme anuloi mbi 200 fluturime, raporton BBC, transmeton Klan Kosova.

Protestuesit duan një hetim të pavarur për brutalitetin e pretenduar të policisë, tërheqjen e plotë të një projekt-ligji të diskutueshëm të ekstradimit dhe dorëheqjen e lideres së Hong Kong-ut, Carrie Lam.

Demonstratat kanë përfunduar shpesh në përleshje të dhunshme me policinë.

Ish-kolonia britanike është pjesë e Kinës, por gëzon liri unike që nuk janë parë në kontinent.