Kina ekzekuton pedofilin që abuzoi me 26 nxënëse

Gjykata e Lartë e Kinës njoftoi të premten se ka ekzekutuar një mësues të shkollës fillore, të shpallur fajtor për përdhunim dhe abuzim seksual me 26 vajza të mitura.

Bota

29/05/2015 15:01

Li Jishun kishte kryer krimet në mes të viteve 2011, 2012, ndërsa jepte mësim në një shkollë fshati në provincën Gansu. Ai akuzohej se kishte abuzuar me vajza/nxënëse të moshës 4 deri 11 vjeç.

Li e kishte përdhunuar 21 prej vajzave, ndërsa me pesë prej tyre kishte abuzuar seksualisht. Të gjitha këto krime i kishte kryer brenda dy vjetësh, në klasa, në konvikte, dhe në pyjet e fshatit, që ndodhet afër qytetit Wushan.

“Disa nga viktimat ishin përdhunuar ose abuzuar prej tij më shumë se një herë”, citon mediet kineze BBC, transmeton lajmi.net.

Gjykata e kishte vlerësuar pedofilin Li si kërcënim të rëndë për shoqërinë, ndërsa shumë nga mediet e kanë përkrahur ekzekutimin e njeriut që kreu krime mizore edhe ndaj një vajze katër vjeçe.

Me këtë rast, është zbuluar edhe një lajm, që ndodhë rrallë në kinë, e që ka të bëjë me statistikat e abuzimit, të cilin e bëri publik vet Gjykata Supreme Popullore e Kinës.

Sipas saj, janë 7145 raste të abuzimit seksual të fëmijëve prej vitit 2012 deri më 2014, gjë që tregon rritjen për 40 për qind të abuzimeve seksuale ndaj të miturve.  /lajmi.net/