Kim Mehmeti: Pas tymit të gazit lotsjellës, fshihet e vërteta për Kosovën
Publicisti nga Maqedonia, Kim Mehmeti, ka komentuar lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës, për herë të dytë nga opozita, në Kuvendin e Kosovës.

Lajme
Ai thotë se pas tymit të gazit lotsjellës, fshihet e vërteta se “Kosova nuk u bë shtet funksional” pas kaq vitesh, raporton lajmi.net.
Postimi i plotë i Kim Mehmetit:
“Në Kuvendin e Kosovës sërish gaz lotsjellës, dhe tym! E përtej perdes prej tymi, fshihet e vërteta se edhe pas kaq viteve, Kosova nuk u bë shtet funksional, edhe atë kryesisht shkaku i ndërhyrjeve destruktive të Serbisë, si dhe shkaku se shumica e burrështetasve të atjeshëm, veprimtarinë politike e kanë kuptuar si bajraktarizëm demokratik – jo me ‘allti’ në bel, por me kollare firmato në qafë – që të mundëson të të takojë edhe lavdia, edhe hajnia! Dhe duke qenë të tillë, ata bënë çmos që të jenë të pëlqyerit e të huajve dhe të Serbisë, por duke mos mbajtur llogari për fatin e popullit që drejtonin! Dhe ja, Kosova e sotme zyrtare, përballet me absurdin që të jetë bashkëpunuese me okupatorin dhe dhunuesin e deridjeshëm të saj, pra me Serbinë që edhe sot bënë çmos që atë ta asgjësojë, por e armiqësuar me gjithë ata që i kundërshtojnë ‘kryebajraktarët’ e vendit!” (Kim Mehmeti)