Kim Jong-un “shpallet” i zhdukur

Vendndodhja e diktatorit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un i ka preokupuar gjatë kësaj jave shumë media ndërkombëtare, por mosparaqitja e tij të premten për të shënuar përvjetorin e 69-të të Partisë së Punës (Komuniste) në pushtet, i ka vërtetuar pohimet jozyrtare se ai është i sëmurë.

Bota

10/10/2014 12:18

Tridhjetenjë vjeçari Kim, i cili e mori pushtetin nga i ati, përkundër mospajtimeve të axhës, nuk është parë askund, as në punë as në paraqitjet publike që prej 3 shtatorit, kur ishte parë në një koncert.

Kjo është hera e parë që lideri i Koresë së Veriut të mungojë kaq gjatë në publik, që kur ai erdhi në pushtet, në vitin 2011.

Një dokumentar zyrtar, i plasuar muajin e kaluar, e ka paraqitur atë si të ndjeshëm dhe të lodhur fizikisht, pasi gjatë pjesëmarrjes në koncert, Kim Jong-un u pa se po ecte me mund, duke çaluar, ndryshe nga e kaluara.

Reuters, duke e cituar një burim të saj në Kore të veriut, ka thënë se udhëheqësi i tyre, është mirë, por vetëm ka lënduar këmbën, gjatë një pjesëmarrje të tij në një stërvitje ushtarake.

Por mediat ndërkombëtre njoftojnë se Kim Yong-un është i sëmurë nga niveli i lartë i yndyrërave në gjak.  

Ndërsa sipas BBC-së, autoritetet koreano-veriore nuk kanë pranuar të flasin për shëndetin e tij.

Zëdhënësi i Ministrisë së Unifikimit, Lim Byeong-cheol, i ka thënë agjencisë së lajmeve Yonhap se “me gjithë respektin për interesimin rreth shëndetit të liderit tonë, ne nuk kemi asgjë për të thënë në këto momente.